Rajon
VIDEO/ ‘Zot na shpëto nga flakët’, murgeshat refuzojnë ta braktisin manastirin
Greqia është duke u përballur me vatra të mëdha zjarri që raportohet se kanë përfshirë edhe disa lagje të banuara.
Së fundmi një vatër e madhe zjarri ka shpërthyer gjatë ditës së sotme në Mandra, ndërsa alarmi për evakuim u është dhënë banorëve në Nea Zoi, Agia Sotira, Palaiochori, Panorama dhe Pournaria.
Në Nea Zoi raportohet se janë përfshirë disa banesa nga flakët dhe janë djegur plotësisht. Një numër i madh zjarrfikësish janë angazhuar nga toka dhe ajri, por numri i madh i zjarreve dhe vatrat e reja duket se po e bëjnë të pamundur luftën me flakët.
Në Mandra, flakët kanë përfshirë kodrën ku ndodhet një Manastir. Policia greke është filmuar gjatë tentativës për të bindur murgeshat të evakuohen, por këto të fundit duket se nuk kanë pranuar. Ato kanë dalë në ambientet e jashtme dhe kanë nisur të këndojnë këngë kishtare duke iu lutur Zotit.
Sakaq, një numër i lartë qytetarësh kanë kërkuar ndihmë në spitale, për shkak të vështirësisë në frymëmarrje, nga tymi i dendur që ka pushtuar zonat.