Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ashpër pas deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili u shpreh se Serbia do të “përgjigjet ashpër” ndaj arrestimit të Igor Popoviq, i ndaluar për shkak se e quajti UÇK-në “organizatë terroriste”.

Kurti i cilësoi këto deklarata si kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova është një shtet demokratik dhe ligjor, ku drejtësia vepron pa dallime etnike apo politike.

“Republika e Kosovës është demokratike dhe ligjore me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara e zbatim të barabartë të ligjit. Sundimi i ligjit nuk diskriminon sipas etnisë, pozitës apo ndikimit politik,” deklaroi Kurti. Sipas tij, arrestimi i Popoviq lidhet me vepra penale për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes etnike, dhe po trajtohet nga institucionet përkatëse në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.

Ai shtoi se retorika e Vuçiçit nuk është qëndrim individual, por politikë shtetërore që synon të minojë drejtësinë dhe paqen në rajon. “Beogradi zyrtar tregon se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes,” tha Kurti.

Kurti theksoi gjithashtu se sulmet verbale ndaj UÇK-së janë një provokim i drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve dhe një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në Ballkan.