Aktualitet
“Viktimë” e mikrokredive/ Përmbaruesi i “grabiti” pronën ish kreut të PD-së që piu fotoksinë para SPAK-ut
“Piramida” e mikrokredive mund të shkaktonte viktimën e parë në vendin tonë.
Pjesë e skemës që zhyti financiarisht mijëra shqiptarë ka rënë “preh” edhe historiani i njohur i qytetit të Lezhës, Pal Trashaj i cili pasditen e së martës tentoi të vrasë veten duke pirë fotoksinë para godinës së SPAK-ut.
Burimet mediatike bëjnë me dije se Pal Trashaj prej disa vitesh ka patur probleme me një bankë të nivelit të dytë ku ai pretendon se e ka shlyer borxhin ndaj kësaj banke por pas disa vitesh sipas tij banka ka pretenduar se nuk ka shlyer borxhin, ku dy përmbarues i kanë marrë pronën.
Ish-kreu i PD Lezhë, Pal Trashaj ka kryer aktin e rëndë pasi është “refuzuar” në mënyrë të vazhdueshme nga kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.
- Kush është Pal Trashaj?
Pal Trashaj, i cili piu fotoksinë para godinë së SPAK, njihet si historian në qytetin e Lezhës, ku është angazhuar në shumë aktivitete kulturore-sociale e po ashtu ka ngritur mjaft problematikë për shumë monumente kulturore.
Për disa vite ka qenë dhe Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Në vitin 2015 Pal Trashaj u gjobit dhe nga gjykata e Tiranës pasi kishte kërcënuar me mesazhe drejtorin e një banke të nivelit të dytë.
- Çfarë njofton policia për ngjarjen e rëndë?
“Më datë 02.07.2024, në rrugën “Panorama”, përballë godinës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shtetasi P. T., 63 vjeç, dyshohet se ka konsumuar fostoksinë dhe aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.
- Skandali i mikrokredive
Prej muajsh me radhë “Boldnews.al” ka denoncuar skemën kriminale se si qytetarët ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales.
Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCR, ku në një rast, vetë gruaja e guvernatorit Gent Sejko, në postin e drejtoreshës së Tirana Bank, shiti 5 mijë kredi me një të rënë të lapsit te dyshja Olsi dhe Elda Ibro, të cilët me licencën e dhuruar nga Guvernatori nisën presionet dhe shantazhet mbi viktimat për të mbledhur paratë. Bashkë me ta, në treg janë dhe qindra zyra ligjore që ushtrojnë presion për mbledhjen e parave duke shkelur haptaz ligjin për njoftimin, kamatvonesat apo kalimin e çështjes në gjykatë.
Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet ti japë një përgjigje!
Gjithashtu dosja e mikrokredive është edhe në Prokurorinëe Tiranës e cila vlerëson se guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko duhet të hetohet për “shpërdorim detyre” nga SPAK, pasi dyshohet se mori masa të vonuara dhe të papërshtatshme për të frenuar skemën e dyshuar të mashtrimit ndaj mijëra qytetarëve nga shoqëria e mikrokredive MCA.
Në mesin e tetorit të vitit 2019, mbi 100 thasë të zinj u lanë të braktisur në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, në Tiranë. Personi që i kishte lënë aty, i identifikuar si Gentian Kamberi, nuk dinte të thoshte se çfarë kishte brenda atyre thasëve, por vetëm se ai ishte pajtuar që të dorëzonte ngarkesën.
Një grup pune i Ministrisë së Drejtësisë hapi thasët dhe brenda tyre gjendeshin mijëra faqe dokumenta, llogari bankare, kontrata kredie, vendime gjyqësore e përmbarimi.
Praktikisht, brenda atyre thasëve ishin fatet e mijëra familjeve, të cilat, siç tregoi një hetim i përfunduar së fundmi nga Prokuroria e Tiranës, kishin rënë pre e asaj që dyshohet si një nga skemat më të rënda mashtruese në dy dekadat e fundit.
Në këtë histori janë përfshirë institucione financiare jo-bankare e përmbarues, ndërkohë që shigjetat janë drejtuar edhe në majën e piramidës financiare, në Bankën e Shqipërisë.