Connect with us

Kosova

Viola Von Cramon: Ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka konfirmuar se ndaj Serbisë është përgatitur një paketë masash, në përgjigje të sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Kështu ka deklaruar Von Cramon në një intervistë me Alice Taylor në podcastin Inside Albania.

“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse ato duhen miratuar nga Këshilli, por flasim për masa politike dhe financiare, që natyrisht do të dëmtojnë qeverinë e Serbisë”, tha Von Cramon.

Von Cramon gjithashtu ka theksuar se Vuçiç duhet të bashkëpunojë dhe të sigurojë një hetim korrekt për ngjarjen e 24 shtatorit.

“Vuçiç është në kontroll të shumëçka ndodh në Serbi. Vështirë të mendohet se ai nuk kishte dijeni se çfarë po ndodh sa i takon blerjes së armatimeve, apo organizimit të grupit agresor. Megjithatë, nuk mendoj se Serbia ka interes për një sulm më të madh ushtarak, apo për luftë”, tha ajo.

Von Cramon zbuloi se për çështjet e mbetura pezull në dialogun mes palëve, është në diskutim një propozim i ri.

“Ajo që kuptoj është se shumë diplomatë po hartojnë një tjetër propozim se si do të bëjmë para. Më tepër detaje nuk mund të jap për momentin”, tha von Cramon.

Advertisement