Kosova
Viti mbaroi, mos ushqeni iluzione se diçka do ndodhë në dialogun Kosovë-Serbi
Drejtori i Institutit “Musine Kokalari” për Politika Sociale në Prishtinë, Visar Ymeri, ndonëse vlerëson se në takimin e fundit të nivelit të lartë në tetor, ka pasur njëfarë “dakordimi cilësor” për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars), nuk pritet të ketë “asgjë të re për publikun” javët në vijim.
Dialogu pritej të hynte në fazën përmbyllëse dhe marreveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi planifikohej të arrihej në fund të vitit 2023. Ky afat nuk do të arrihet dhe tashmë marrëveshja Kosovë-Serbi, përpos ndikimit nga dy luftërat, do të matet në kontekstin zgjedhjeve në Serbi.
“Zgjedhjet në Serbi duket se përfundimisht e kanë ngadalësuar jashtëzakonisht shumë dialogun në kuptimin e takimeve në Bruksel në kuadër të këtij procesi. Prandaj nuk duket se do të ketë ndonjë gjë të re për publikun në këtë drejtim gjatë këtij viti” – vlerësoi Ymeri, teksa edhe ka kritikuar praktikën e konfidencialitetit lidhur me procesin e dialogut.
Ai gjithashtu konsideroi se një prej dëmeve akute në procesin e dialogut ka qenë pikërisht trajtimi i rrjedhës së tensionuar i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vetëm si urgjencë sigurie, posaçërisht pas ngritjes së tensioneve në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, por jo si mundësi për ngritjen e nivelit të bashkëpunimin në drejtim të paqes.