Connect with us

Aktualitet

Vjedhja e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit, GJKKO pranon gjykim të shkurtuar për ‘Rrumin e Shijakut’

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për të pandehurin Aleksandër Laho, i njohur ndryshe me pseudonimin “Rrumi i Shijakut”. Ky i fundit është marrë nën akuzë për tjetërsimin e 45 mijë metër katrorë tokë në Gjirin e Lalzit.

Në seancën e datës 24 dhjetor, ora 12.00 Prokuroria e Posaçme do të lexojë pretencën për Lahon, i akuzuar për veprën penale “korrupsion aktiv”, vepër e cila dënohet nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Në rast se dënohet për shkak të gjykimit të shkurtuar, do t’i ulet me 1/3 koha që do të vuajë pas hekurave të qelisë.

Laho është ende në kërkim edhe pse ndaj tij ka dy urdhër-arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK. I njohur edhe me nofkën “Rrumi i Shijakut”, Aleksandër Laho është një personazh shumë i përfolur për lidhjet e tij me botën e krimit, ndërkohë që emri i tij u përmend edhe gjatë atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Irgen Kërçyku i cili në vitin 2017 mbante detyrën e avokatit të shtetit, mori nga Aleksandër Laho një shumë parash prej 900 mijë lekësh, në mënyrë që ai të mos merrte pjesë në procesin gjyqsor për abuzimin me 45 mijë metër katrorë tokë në Gjirin e Lalzit.

Padia për këtë çështje, u depozitua në organin e akuzës nga Pal Seçuni, që në atë kohë ankohej për vendimet e Hipotekës së Durrësit, për tjetërsimin e pronës. Në 26 korrik të vitit të kaluar, SPAK mbylli hetimet dhe bëri kërkesë në GJKKO për kalimin e dosjes për gjykim.

Advertisement