Rajon
VMRO-ja zyrtarizon nismën për referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë
Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE ka njoftuar të martën fillimin e procedurës për organizimin e referendumit të detyrueshëm me qëllim të anulimit të marrëveshjes me Bullgarinë. Kjo marrëveshje e propozuar nga Franca dhe e miratuar në Parlamentet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i hapi rrugën shtetit maqedon që të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 19 korrik. Në bazë të marrëveshjes, Shkupi gjatë procesit të bisedimeve me BE-në duhet të zgjidhë çështjet e hapura lidhur me aspektet historike, ndërsa ato për gjuhën dhe identitetin beson se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve. Çështja kryesore ka të bëjë me përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, si popull shtetformues. Opozita maqedonase marrëveshjen e quan “tradhti kombëtare” andaj edhe ka iniciuar referendumin me pyetjen “A jeni për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë?”.
“Me këtë marrëveshje mohohet gjuha, identiteti dhe historia maqedonase. Kjo nismë për referendum është tërësisht evropiane sepse kundërshton politikat dhe veprimet negative që Bullgaria i drejton ndaj Maqedonisë në aspektin gjuhësor, kulturës dhe identitetit”, ka deklaruar Nikolla Micevski, kryetar i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së.
Nisma për referendum nënkupton fillimisht mbledhjen e jo më shumë 100 nënshkrimeve për të paraqitur nismën në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), dhe më pas mbledhjen e 150 mijë nënshkrimeve që pastaj Kuvendi të shpallë datën për daljen e qytetarëve në referendum. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se “nisma e VMRO DPMNE-së tregon dyfytyrësinë e kreut të saj, Hristian Mickovski, i cili para zyrtarëve bullgarë kishte pranuar marrëveshjen për fqinjësi të mire dhe tani del kundër saj, për çka flet për politikat e tij të paqëndrueshme”.
Ndërkohë presidenti Stevo Pendarovski tha se “nisma e VMRO DPMNE-së është kundër integrimit evropian, jo morale, antievropiane”.
Sipas Pendarovskit pyetja e referendumit nuk është “A jeni kundër Marrëveshjes me Bullgarinë?” por, “Ajo jeni kundër rrugëtimit tonë drejt BE-së?”. Maqedonia e Veriut e ka fituar statusin e shtetit kandidat në vitin 2005, por për nisjen e bisedimeve ne BE-në ka pritur 17 vjet, për shkak të kontesteve të pazgjidhura me shtetet fqinje – fillimisht me Greqinë për çështjen e emrit, e tani me Bullgarinë për gjuhën dhe identitetin./ REL