Kosova
Von Cramon për zgjedhjet në Serbi: Pati mashtrim dhe blerje votash

“Ajo që kishim në Serbi më 17 dhjetor, siç e pamë, ishte mashtrim masiv zgjedhor me votues fantazmë, blerje votash dhe presion, veçanërisht ndaj zyrtarëve publikë” – kështu ka thënë raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon. Këto komente ajo i ka bërë në platformën X, derisa ka theksuar se deklaratat e kryeministres serbe, Ana Branbiç, e cila sulmoi vëzhguesit evropianë, duke thënë se parregullsitë që ata i vënë në pah nuk janë vërejtur në procesverbale, janë “krejtësisht të papranueshme”.
Brnabiç, duke folur për deklaratat e ekipit monitorues evropian në procesin zgjedhor në Serbi më 17 dhjetor, përkatësisht për vëzhguesin Stefan Senahun dhe Andeas Shideri, të cilët shpërfaqën parregullsitë që Partia Progresive Serbe (SNS) e Brnabiç-it i ka bërë, ka thënë se vëzhguesit nga Evropa kanë “gënjyer”, si edhe pretendoi se ata “destabilizojnë” Serbinë me deklaratat e tyre për zgjedhjet.

