Connect with us

Kronike

Vrasësi rumun i Renato Hoxhajt u prezantua si kapiten anijesh, u arratis pas 6 orësh drejt Greqisë

Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet e Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës për vrasjen e 58-vjeçarit Renato Hoxha, atentat i regjistruar mëngjesin e 27 prillit në lagjen “Hajro Çakërri” të qytetit bregdetar.

Si autor të vrasjes, autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasin rumun Daniel Cornea, 53-vjeç, teksa është arrestuar vlonjati Kleanth Bylyku alias Armando Gega, 42 vjeç, i cili dyshohet se e ka ndihmuar vrasësin për të lëvizur ditën e atenatit.

Në muajin Prill u arrestua edhe 37-vjeçari Evis Mehmetaj, i cili ka patur në pronësi automjetin me të cilën kanë lëvizur ditën e vrasjes Kleanth Bylyku alias Armando Gega dhe rumuni Daniel Cornea.

Burime për mediat pranë grupit hetimor bëjnë me dije se rumuni Daniel Cornea ka hyrë në territorin e Republiksë së Shqipërisë më datën 21 Prill, në orën 17:44, 6 ditë para vrasjes së Renato Hoxha. Ai ka qenë më këmbë dhe ka hyrë përmes pikës doganore të Qafë Botës, teksa pasi ka kaluar kufirin, ka marrë një taksi, duke i kërkuar shoferit që ta çonte në qytetin e Vlorës.

Drejtuesi i taksisë është marrë në pyetje nga grupi hetimor, i cili ka deklaruar se Daniel Cornea i ka folur greqisht dhe se i ka thënë se jetonte në Athinë. Po ashtu, rumuni i ka thënë taksistit se ishte i pamartuar dhe se punonte si kapitën anijesh.

Ndërkohë, gjatë rrugës taksisti nuk është ndjerë mirë nga ana shëndetësore dhe e ka çuar deri në Shijan-Sarandë, ku aty “killeri” rumun ka zbritur dhe ka marrë një taksi tjetër deri në Mavronat.

Ndërkohë, nga kqyrja e kamerave të sigurisë, ditën e ngjarjes, më 27 Prill, rreth orës 04:47 minuta, ka rezultuar se nga automjeti tip “Land Rover” ka zbritur autori i dyshuar nga dera e përparme e anës së majtë dhe pasi mbyll dyert me pult, fillon ecjen në këmbë në të gjithë lagjen.

Kamerat kanë konstatuar lëvizjen e tij nga lagjia “Hajro Çakërri” dhe me pas tek Prokuroria, Poliklinika e deri ku ai është futur në rrugicën ku ka kryer vrasjen e Renato Hoxhajt me 4 plumba në drejtim të tij.

Mësohet se pas kryerjes së atentatit, rumuni 53-vjeçar ka lëvizur në disa lagje në afërsi të vendit të ngjarjes dhe më pas ka shkuar te automjeti “Land Rover”, e cila ka qenë e parkuar në rrugën “Isa Boletini”.

Ai ka përshkruar me automjet disa rrugë të Vlorës, për të dalë më pas nga porti detar pranë universitetit, për të marrë drejtimin drejt fshatit Babicës dhe më pas drejt Sarandës, ku në orën 11:00 ka rezltuar në vendin e quajtur “Posta Ksamil”.

Ai ka parkuar automjetin tip “Land Rover”, ku prej andej ka nxjerrë një çantë me rroba dhe pas 50 minutash është shfaqur në doganën e Qafë Botës, ku ka kaluar kufirin sërish në këmbë në drejtim të territorit grek.

Viktima Renato Hoxhaj ka qenë komshi me Sokol Sinomatin, i njohur me nofkën “Buzëderri”, një prej personazheve më të njohur të krimit në Vlorë. Raportohet se 58-vjeçari ka qenë edhe roje i banesës së Sinomatit në lagjen “Hajro Çakërri”.

Grupi hetimor ka dyshime se Renato Hoxha mund të jetë vrarë për hakmarrje, por edhe për t’i mbyllur gojën. Pasi ka dyshime që mund të ketë qenë person, që ka pasur dijeni për disa krime të ndodhura në Vlorë. Policia ka dyshime se Hoxhaj mund te ketë pasur rolin e informatorit dhe për këtë arsye është ekzekutuar. Një ndër ngjarjet që po hetohet si një lidhje e mundshme me vrasjen e Renato Hoxhës, është edhe ekzekutimi i Gëzim Sinomatajt me snajper, më 7 janar të vitit 2024.

Por përveç saj po verifikohet edhe atentati me eksploziv ndaj Bernard Sinomatajt, i ndodhur në Tiranë më 21 dhjetor të vitit 2024. Të dy këto ngjarje, duket se kanë ngritur dyshime të dyfishta për hetuesit në lidhje me rolin e Renato Hoxhës, qoftë si person që mund të ketë pasur informacione për ngjarjen e parë në Vlorë, qoftë nëse ka dhënë informacione për ngjarjen e dytë të Tiranë. Ky dyshim e kthen atë në objektiv të dy grupeve rivale, por pa përcaktuar me saktësi se cilit prej tyre.

Atentati ndaj Renato Hoxhës dyshohet se është porositur nga Dubai.

Advertisement