Connect with us

Kosova

Vrasja dhe plagosja e policëve në veri/ Osmani: Bandat e Vuçiç

Lidhur me sulmin ndaj policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë një policë dhe një tjetër i plagosur, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani e ka konsideruar vrasjen si sulm ndaj rendit dhe ligjit në veri të Kosovës dhe në përgjithësi sulm ndaj Kosovës.

“Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës. Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po e destabilizojnë Kosovën dhe rajonin”, thuhet në reagimin e Osmanit.

Sipas presidentes Osmani sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

“Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës. Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë”, tha Osmani e cila njëherit ju bëri thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve dhe subjekteve politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe siç u shpreh ajo sovraniteti i Republikës së Kosovës.

“Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës “, tha Vjosa Osmani

Zyra e Presidentes njofton se shkaku i situatës së krijuar, Presidentja Osmani i ka anuluar të gjitha aktivitetet e parapara për të hënën dhe të martën në New York, dhe qysh sot do të niset për në Kosovë.

Advertisement