Connect with us

Bota

Vrasja e Charlie Kirk, FBI gjen mostra të ADN-së së 22-vjeçarit Tyler Robinson në vendin e ngjarjes

Mostrat e ADN-së të marra nga dy objekte të gjetura pranë vendit të vrasjes së influencuesit konservator Charlie Kirk përputhen me ADN-në e të dyshuarit që ndodhet në paraburgim, njoftoi sot drejtori i FBI-së, Kash Patel.

Pesë ditë pas vrasjes që tronditi opinionin publik në SHBA dhe theksoi ndarjet politike të vendit, hetimet janë përqendruar tek Tyler Robinson, 22-vjeçari që u arrestua të enjten në mbrëmje dhe që deri më tani ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet.

Sipas autoriteteve, gjatë operacionit janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë një kaçavidë që u gjet mbi çatinë e një ndërtese në kampusin universitar të Utah, ku fshihej i dyshuari i armatosur.

Gjithashtu, një peshqir me të cilin ishte mbështjellë pushka u gjet në vendin e ngjarjes, konfirmoi drejtori i FBI-së gjatë një interviste për Fox News.

“Mund të konfirmoj sot se gjurmët e ADN-së në peshqirin që ishte mbështjellë rreth armës së zjarrit dhe ADN-ja në kaçavidë i përkasin personit të ndaluar aktualisht nga autoritetet,” tha Patel.

Pasi është kritikuar për menaxhimin e hetimeve që në fazat e para, kreu i FBI-së zbuloi gjithashtu se i dyshuari kishte lënë një shënim para se të vepronte.

“Sipas provave tona, i dyshuari kishte shkruar me shkronja të mëdha: ‘Kam mundësinë të eliminoj Charlie Kirk dhe do ta shfrytëzoj’,” deklaroi Patel, duke shtuar se ekzistojnë dëshmi të ekzistencës së këtij shënimi, i cili më pas është shkatërruar nga vetë autori.

Guvernatori i Utah-it ka bërë të ditur se deri tani nuk është përcaktuar ende ndonjë motiv i qartë për këtë vrasje.

Advertisement