Kronike
Vrasja e dyfishtë në Velipojë/ Del VIDEO e sherrit nga ku nisi zanafilla e krimit
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, përballë hotel “Holiday”, ku dy vëllezërit pronarë të hotelit në plazhin e Velipojës, Edmir dhe Gëzim Frroku vranë me armë zjarri 33-vjeçarin Ersild Ishmi dhe kunatin e tij, Arsid Hoxha, 22 vjeç (burri i motrës).
Viktimat kishin shkuar për tu sqaruar me pronarët e hotel “Holiday”, por konflikti mes tyre ka agravuar në përdorimin e armëve.
Ngjarja e rëndë e ka zanafillën tek një konflikt i ndodhur mesditën e 28 qershorit të këtij viti në hotelin e dy vëllezërve, Edmir dhe Gëzim Frroku.
Ersid Ishmi kishte shkuar për të drekuar në hotel dhe kamerieri në restorant, kushëri me Ishmin ka debatuar me kuzhinierin pasi është vonuar porosia.
Në këtë debat ka ndërhyrë 33-vjecari Ishmi, i cili ka nxjerrë pistoletën në restorantin e familjes Frroku dhe ka kërcënuar me jetë kuzhinierin.
Siç shihet edhe nga pamjet, si fillim palët bisedojnë qetësisht më pas situata agravon në konfrontim fizik. Pjesë e konfliktit shihet se kanë qenë edhe persona të tjerë, mes tyre edhe një grua.
Ishmi u arrestua në Vaun e Dejës më 14 korrik dhe gjykata e Shkodrës la në masë sigurie “arrest shtëpie”. Mbrëmjen e 19 gushtit, Ishmi theu masën e sigurisë, mori me vete kunatin Arsid Hoxhën dhe shkuan tek hoteli për të sqaruar konfliktin që kishin lënë përgjysmë, por mbetën të vdekur.
Rreth orës 21:00 ka pasur konflikt mes dy vëllezërve Frroku dhe dy kunetërve përpara hotelit. Dy vëllezërit kanë qëlluar me armë duke lënë të plagosur rëndë dy kunetërit Hoxha dhe Ishmi të cilët gjetën vdekjen sapo hynë në sallën e operacionit në spitalin e Shkodrës.