Kronike
Vrasja e Egli Progës, Prokuroria e Korçës përfundon hetimet, çon për gjykim dosjen

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet për vrasjen e Egli Progës dhe ka dorëzuar dosjen për gjykim. Ngjarja tragjike ndodhi më 10 gusht të 2024 në lagjen nr.1 në Pogradec, ku Proga u gjet pa shenja jete në rrugë. Sipas prokurorisë, Denis Meçe do të përballet me akuzën penale të “vrasjes me dashje”, ndërkohë që tre persona të tjerë, Leonidha Guce, Voltan Shkulaku dhe Arjan Manellari, akuzohen për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “moskallëzim krimi”
Hetimet për këtë ngjarje nuk janë mbyllur plotësisht, pasi organi i akuzës, ka veçuar një pjesë të dsojes, në lidhje me dyshimet për shpërdorim detyre nga disa punonjës të Policisë, për të cilët do të merret vendimi në ditët në vijim.
Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42 vjeçari Egli Proga baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje nga Denis Meçe, i cili u largua nga vendngjarja. Ai u arrestua vetëm disa ditë më vonë ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë. Bashkë me të, për moskallëzim krimi u proceduan edhe Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari. Por, sot, ata janë lënë në “burg” deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

