Connect with us

Kronike

Vrasja e Jan Prengës, burg përjetë për Festim Bixhdili

Ende pa asnjë gjurmë apo të dhënë lidhur me rrëmbimin e më pas vrasjen e Jan Prengës, njëri nga pesë të arrestuarit, Festim Bixhdili është dënuar përjetë nga Gjykata e Tiranës. Bixhdili rezulton të jetë njeriu kyç i cili ka informacion për vendin ku është varrosur trupi i Jan Prengës, por ai refuzoi ta tregojë dhe nuk ka shfaqur asnjë pendesë në Gjykatë.

Ai ishte kopshtar i resortit Golden në Pjezës Shijak, nga garazhi i të cilit u transportua trupi i torturuar i Jan Prengës. Për të bashkëpandehurin e tij, Olsi Turja, gjykata cakton 3 vite burg por parashikohet shuarje të masës së sigurisë pasi dënimi prej 3 vitesh ka përfuduar në kohën që ishte në arrest shtëpie.

Jan Prenga me profesion mobilier, u rrëmbye në Kamzë ku edhe jetonte me familjen, kur në rrugën “London” u fut forcërisht në një makinë të autorëve, Range Rover i bardhë, që rezultoi i vjedhur, dhe pas ngjarjes u gjet i djegur në Shkallnur të Durrësit. 49-vjeçari, babai i 5 fëmijëve, e pësoi prej vëllait të tij, Astrit Prenga, korrier i grupeve të trafikantëve të drogës dhe kishte vjedhur 283 kg kokainë në Portin Portsmouth, Angli, që i përkiste Dritan Rexhepit dhe Gentjan Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Sipas SPAK rrëmbimi është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti të kthente lëndën narkotike. Astrit Prenga është arrestuar në Angli.

Dritan Rexhepi, aktualisht është i burgosur në Ekuador ndërsa Gentjan Funiqi, i shpallur në kërkim ka precedentë penal në fushën e narkotikëve. Sipas SPAK urdhrin e tyre e ekzekutuan Martin Bleta dhe Korado Keshteja të cilët rrëmbyen Jan Prengën, ndërsa Artan Docaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, sipas hetuesve, e vranë më 17 janar 2020.

Me anë të pamjeve filmike, policia provoi se trupi i Jan Prengës kishte qenë Brenda kompleksit “Golden” dhe në atë kohë, arrestoi Leonard Hajri, babain i tij Bajram Hajri dhe kushëririn Elton Hajri, bashkë me Aleks dhe Ardian Doçajn, të cilët me vijimin e hetimeve u lanë të lirë pasi prokuroria tha se nuk provohet që të kenë qenë bashkëpunëtorë në krim.  Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak dyshohet se është personi që mori porosinë për rrëmbimin e Jan Prengës nga një telefonatë prej Ekuadorit nga i dyshuari Dritan Rexhepi.

Advertisement