Kosova
Vrasja e Liridonës/ Osmani: Sistemi i drejtësisë të ashpërsojë dënimet
Presidentja Vjosa Osmani, ka folur sërish për tragjedinë e Liridona Ademajt – Murseli. Osmani tha se kjo ngjarje duhet të shërbejë si një thirrje për zgjimin e ndërgjegjes kolektive dhe një ndryshim në mënyrën se si shoqëria dhe sistemi i drejtësisë përballen me dhunën ndaj grave. Duke folur në konferencën për Integritetin e Informacionit, të organizuar nga Instituti për Demokraci (NDI), Osmani theksoi domosdoshmërinë e ashpërsimit të dënimeve për dhunuesit e grave dhe të mosnormalizimit të dhunës në shoqëri.
“Duhet të luftojmë me ngulm mosnormalizimin e dhunës. Kjo është sfidë e gjithë shoqërisë”, u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet të përballet me mangësitë në adresimin e çështjes së dhunës në baza gjinore dhe të forcojë mekanizmat e mbrojtjes.
“Janë identifikuar një sërë mungesash në mënyrën sesi funksion zinxhiri i institucioneve… është esenciale që dënimet e institucioneve tona të drejtësisë mos të jenë të tilla që të inkurajojnë dhunuesit,” theksoi Osmani.
Në konferencën ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili theksoi urgjencën e adresimit të fenomenit të femicidit, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Ai vuri në dukje nevojën për të punuar në këto çështje dhe për të parë përparim të vazhdueshëm, duke përmendur rolin dhe përfaqësimin e grave në të gjitha nivelet e shoqërisë.