Kronike
Vrasja e Lulzim Vishës, RENEA kontrolle në banesën e Ervis Lamit
Forcat RENEA kanë ushtruar kontrolle në banesën e Ervis Lamit, i cili është shpallur në kërkim për vrasjen e postierit Lulzim Visha në Zall Mner në Kamëz. Po ashtu si në kontrollin e parë, Lami nuk është gjetur në banesën e tij, por sipas sistemit TIMS ai ndodhet ende në territorin e Shqipërisë, por ekzistojnë dyshimet se ai mund të jetë larguar ilegalisht në vende të tjera nga Kosova.
Edhe pse nuk ka prova që implikojnë përfshirjen e Lamit në vrasjen e Vishës, Policia ka gjetur një armë zjarri me silenciator në banesën e tij. Ai është i njohur për arratisjen nga burgu i Drenovës. Në momentin e kontrolleve nga Policia, Lami nuk ka qenë në banesë, por një familjar i tij ka hapur derën. Mësohet se viktima dhe disa anëtar të familjes Lami kanë pasur një sherr, që dyshohet se ka qenë për pronat. Efektivët kanë arrestuar Eduart Lamin, djalin e xhaxhait të Ervis Lamit, i cili ka pasur armën pa leje që është gjetur në banesë.
Si pistë qëndron edhe ajo e hakmarrjes, pasi viktima është vëllai i Besnik Vishës i cili ka vrarë me armë zjarri në vitin 1997 Refik Domi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë.