Connect with us

Aktualitet

Vrasja e Pjerin Xhuvanit, arrestohet një nga dëshmitarët

Një nga dëshmitarët e marrë në pyetje për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, është vënë në pranga. Mësohet se bëhet fjalë për personin me inicialet M.K.. Paraprakisht raportohet se dëshmitari është vënë në pranga pasi ka dalë nga salla e gjyqit, pasi akuzohet se ka dhënë dëshmi kontradiktore para gjykatësit dhe prokurorit.

Më konkretisht, në deklaratën e tij të parë, dëshmitari me inicialet M.K., ka thënë tjetër version të ngjarjes krahasuar me atë që ka dhënë sot gjatë seancës gjyqësore. Dëshmitë e tij janë krahasuar dhe me pamjet që prokuroria ka poseduar nga vendi i ngjarjes dhe nuk përputhej.

Dyshimi është se deklaratat e tij kontradiktore kanë qenë të qëllimshme dhe kanë synuar pengimin e hetimeve nga gjykata, ndaj është vendosur dhe masa e arrestit për të.

Si ndodhi vrasja?

Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.

Advertisement