Connect with us

Kronike

Vrasja e Renis Dobrës/ ‘Një Range dhe një Hyundai’, kushëriri thotë se u rrëmbye në dalje të Burrelit

Detaje të reja kanë dalë nga vrasja e 23-vjeçarit Renis Dobra në Mat, pasi policia e Dibrës gjatë verifikimit të disa kamerave, ka zbuluar se autorët e krimit kanë përdorur dy automjete. Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno ka mësuar detajet shtesë të hetimit, pasi kamerat e sigurisë që ka sekuestruar policia, kanë arritur të fiksojnë imazhet e dy automjeteve fuoristradë “Range-Rover” i Zi dhe një fuoristradë “Honday Santa” ngjyrë e bardhë.

Të dyja makinat janë përdorur nga autorët e krimit, të cilët pasi e kanë marrë, Renis Dobran, e kanë mbytur me litar. Vdekja nga asfiksia është provuar që prej ditës së djeshme nga ekspertiza mjeko-ligjore, e kryer nga 3 ekspertë në Tiranë.

Kamerat e sigurisë të sekuestrura nga policia dhe prokuroria e Dibrës, kanë arritur të kapin siluetën e dy mjeteve, por jo të fiksojnë qartësisht targat dhe drejtuesit e tyre. Përmes disa kamerave të sekuestruara, është zbuluar itinerari i dy fuoristradave të përdorura nga autorët, që sipas grupit të hetimit imazhet e tyre janë shfaqur deri në Milot dhe më tej nuk është konstatuar asnjë pamje e tyre.

Policia ka kryer disa kontrolle në servise dhe varreza automjetesh që ndodhen në këtë zonë, por deri në këtë fazë këto kontrolle, nuk kanë sjellë rezultat. Nga kamerat, nuk dallohen qartësisht drejtuesit e mjeteve apo personat që kanë qëndruar në vend të parë. Ndërkohë përmes dëshmisë së kushëririt të viktimës, rrëmbimi i 23-vjeçarit Renis Dobra, është kryer rreth 2 kilometra nga dalja e qytetit të Burrelit.

Personat me dy fuoristradë “Range Rover” dhe “Honday Santa”, janë paraqitur si punonjës policie, dhe dy prej tyre kanë hipur në makinën e viktimës Renis Dobra, duke krijuar perceptimin tek i afërmi se do e shoqëronin në komisariat. Por i riu është gjendur mëngjesin e ditës tjetër në një humnerë, 10 metra larg ujërave të liqenit të Shkopetit. Sipas ekspertizës, autorët e kanë mbytur diku tjetër Renis Dobran dhe më pas në orët e vona të natës, kanë shtyrë mjetin në një teren të thepisur, ku brenda tij kishin futur trupin e pajetë të 23-vjeçarit.

Gjatë rrotullimeve që ka bërë makina në humnerë, trupi i pajetë ka dalë nga mjeti, duke mbetur në disa shkurre, pa rënë në ujërat e liqenit të Shkopetit. Kurse mjeti është fundosur në ujë. Në ditën e sotme, policia mundi të nxjerrë makinën jashtë dhe gjatë kryerjes së saj nuk është arritur të gjendet telefoni i viktimës apo sende të tjera që do ndihmonin hetimin për zbulimin e autorëve të kësaj vrasjeje të tmerrshme. Hetuesit flasin se mbytja me litar e 23-vjeçarit është kryer diku tjetër dhe më pas e kanë futur në makinën e tij për ta hedhur në mesnatë në liqen.

Dobra, ishte djali i vetëm mes 3 motrave i familjes së Rufat Dobrës, i cili ka kërkuar nga policia dhe prokuroria e Dibrës, zbardhjen sa më parë të ngjarjes së rëndë.

Renis Dobra, rezultonte i arrestuar dhe dënuar disa herë nga drejtësia Gjermanë për akuzën e “Shitjes së lëndëve narkotike”. Kjo është vetëm njëra nga pistat hetimore ku është fokusuar policia. Por ndërkohë jashtë vëmëndjen nuk janë lënë dhe disa konflikte që ka pasur viktima me disa persona të tjerë të zonës, të cilët pasi janë marë në pyetje janë lënë sërisht të lirë. Ndërkohë nuk përjashtohet as pista e shitjes së lëndëve narkotike brenda territorit të Shqipërisë./OraNews

Advertisement