Kronike
Vrasja në burgun e Peqinit/ Varroset pas një viti Arben Lleshi, familja e ‘braktisi’

Një vit pas vdekjes, Arben Lleshi është varrosur nga Bashkia e Matit. Trupi i tij ka qëndruar në morg pothuajse për një vit, pasi familjarët nuk patën interes. Prokuroria e Elbasanit ka konfirmuar se trupi është nxjerrë me autorizimin përkatës dhe është tërhequr nga morgu nga Bashkia e Marit më 20 nëntor të 2024. Lleshi u vra nga Sokolo Mjacaj, një tjetër i dënuar përjetë dhe po mbahet në regjimin e posaçëm 41 biss.
Familja fillimisht refuzoi të tërheqë trupin për shkak të frikës nga hakmarrja, pasi edhe Lleshi ishte i dënuar përjetë. Më pas, ata pretenduan se kishin dyshime nëse viktima ishte i afërti i tyre, por pas analizave mjeko-ligjore, Prokuroria e Elbasanit konfirmoi se personi i vrarë më 15 dhjetor të vitit 2023 është Arben Lleshi. Verifikimi është bërë përmes gjurmëve të gishtave dhe pas kësaj Prokuroria e Elbasanit i ka nisur rezultatet e Institutit Mjeko-Ligjor, por sërish familja nuk e tërhoqi trupin.
Vrasja e Arben Lleshit
Mesditën e 15 dhjetorit, Sokol Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.
Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjacaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në vitin 2015 Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe.

