Aktualitet
Atentati në Don Bosko, autori i përfshirë edhe tek vrasja e policit Xhulio Prela
Nikoll Sherrniku, 28 vjeç, është vendosur në pranga sot nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se është personi që ka siguruar mjetet për të kryer të ashtuquajturën masakra e Don Boskos, ngjarje në të cilën ndërroi jetë bankierja, Mimoza Paja. Por kjo nuk është hera e parë që Sherrniku bëhet lajm për kronikën e zezë. Në vitin 2022, ai u ndalua bashkë me Flutura Berishën, ndërsa në mjet kishin një armë zjarri “tip” kallashnikov, së bashku me krehër e me fishek në fole. Bashkë me ta ishte dhe një i mitur, 15 vjeç, e të gjithë bashkë në momentin e ndalimit po vëzhgonin një ndërtesë në Kune të Shëngjinit. Me shumë gjasa për të kryer një vrasje.
Por në momentin që ka parë Policinë e Shtetit, Flutura Berisha ka dalë nga mjeti i blinduar me xhama të zinj, i llojit ‘Toyota’. Ajo ka marrë kallashnikovin dhe çantën ku mbante dy radio-marrëse si ato të Policisë së Shtetit. Berisha ka tentuar që t’i fshehë municionet, por është kapur në kohë nga efektivët. Kallshnikovi e radiot janë gjetur e sekuestruar gjithashtu.
Po ashtu, Nikoll Sherrniku, një emër i njohur për Policinë e Shtetit ishte zyrtarisht në masën ‘arrest shtëpie’, sepse u vu në pranga si i i implikuar në vrasjen e efektivit Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur në dhjetor të vitit 2020, për të cilën u akuzua edhe Brilant Martinaj, i cili u vra bashkë me dy shokët e tij në Fushë Krujë në korrik të vitit të shkuar.
Por pas arrestimit, Sherrniku, më vonë u lirua dhe u la në ‘arrest shtëpie’, masë të cilën e theu për të shkuar në Shëngjin. Mesa duket është liruar edhe pas ngjarjes së Shëngjinit dhe ka përgatitur gjithçka që i është kërkuar për të sulmuar lokalin e Fatjon Muratit në Don Bosko. Por ende nuk dihet se me porosi të kujt ka ndodhur i gjithë sulmi që la 6 të plagosur dhe i mori jetën punonjëses së pafajshme.
Çfarë ndodhi dhe pse u vra Mimoza Paja?
Masakra ndodhi më 12 Mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim./Dosja.al