Connect with us

Kronike

Vrasja në Shkodër merr rrjedhë tjetër?! E motra e viktimës bën deklaratën e fortë: Ka gisht edhe policia

Motra e 34-vjeçarit Kristian Kola i cili u ekzekutua me armë zjarri dy ditë më parë në qendër të Shkodrës, ka bërë një deklaratë të fortë mbrëmjen e kësaj të shtune për “Euronews Albania” duke thënë se policia ka gisht në vrasje. Akuza e fortë e motrës së viktimës duket se po i ndryshon rrjedhën ngjarjes ndërsa mbetet në dorën e autoriteteve për të zbardhur të vërtetën.

Teksa kërkon drejtësi për vrasjen e vëllait të saj, Mariza Kola u shpreh se 34-vjeçari nuk ka patur kurrë konflikte dhe familja nuk ka as ndonjë hasmëri.

Me lotë në sy teksa thotë se “s’është e lehtë të fusësh djalin 32 vjeç në dhe”, Mariza Kola thekson se as babain e saj nuk e kanë lënë të shohin trupin e viktimës kur u transportua.

“Më morën në telefon, më thanë vëllain tënd e kanë vrarë. Më kanë marrë nga shoqëria, jo familjarët fillimisht. Vëllai s’ka qenë me precedent penal. Kanë punuar në ndërtim dhe nuk është marrë kurrë me gjë tjetër. Asnjëherë s’ka pasur as konflikt, as hasmëri me kërkënd.

Asnjë gjë nuk dimë, asgjë nuk na kanë thënë. Nuk është e lehtë ta fusësh në mendje këtë. Është punë e policisë të gjejë autorët dhe të zbardhë çfarë ka ndodhur. Por unë dyshoj që policia është e implikuar në këtë krim. Dua vetëm drejtësi.”-tha Mariza Kola.

I vetmi fakt që dihet është se dy persona me motor kanë kryer vrasjen e Kristian Kolës. Të maskuar me veshje të zeza dhe skafandra, dy personat kanë qëlluar në drejtim të Kristian Kolës i cili po pinte kafe pranë “Kinema Republika”.

Sot, në fshatin Vukatanë të Shkodrës u gjet një motor i djegur, çka ngre dyshimet se i përket autorëve të krimit. Dyshohet se dy autorët janë ndihmuar nga persona të tjerë për tu arratisur ndërsa autoritetet vijojnë hetimet.

Advertisement