Kronike
Vrasje dhe grup kriminal/ I blinduar nga policia, Denis Bajri ekstradohet nga Dubai, momenti kur mbërrin në Rinas

Në vijim të bashkëpunimit intensiv të Interpol Tiranës me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, rreth orës 16:30, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Bajri 37 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi Denis Bajri në përfundim të procedurave iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme së Burgjeve.

