Connect with us

Kronike

Vrau 3 gra dhe plagosi 3 të tjera/ Prokuroria kërkon tre burgime të përjetshëm për Dan Hutrën

Prokuroria e Tiranës ka dhënë pretencën ditën e sotme për vrasësin Dan Hutra, kua kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm, teksa ai akuzohet për vrasjen e 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave.

Në total, prokurori Enklid Gjini ka kërkuar 3 dënime me burgim të përjetshëm dhe 1 me 35 vite burg për Hutrën.

Më 1 mars të vitit 2023, Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas së parë, kishte vetëm dy javë që ishte liruar nga qelia, ku mbahej për dhunë në familje që nga 16 qershori i vitit 2022.

Duket se në burg, ai kishte thurur planin e tij të hakmarrjes. Hakmarrje ndaj atyre që e kallëzuan, sipas tij me të padrejtë dhe ndaj atyre që ai mendonte se kishin tentuar ta vrisnin në burg.

Më datën 1 mars 2023, nga ora 12:15 deri në orën 12:48 ai realizoi 3 vrasje e 3 plagosje në Tiranë. Të gjitha gra dhe vajza.

Nga “Pallati me shigjeta”, ku ka kryer plagosjen e Marjana Gurakuqit, ka vijuar rrugën për rreth 5.4 kilometra, duke shkuar në rrugën “Rrustem Haklaj”, në Kodër Kamzë. Aty ka vrarë Mevlute Hysën dhe Hasime Dafkun, si dhe ka plagosur Elena (Alketa) Hysën e Kujtime Hysën. Më pas, ka përshkuar edhe 3.4 kilometër deri në rrugën “Besëlidhja” në Bathore, ku ka vrarë Etleva Kurtin.

Pra distanca nga krimi i parë deri në atë të fundit është 8.8 kilometër. Ndërsa të gjitha ngjarjet Dan Hutra i ka realizuar për 33 minuta.

Dy të plagosurat, Elena Hysa është ish-bashkëjetuesja e Dan Hutrës, ndërsa Kujtime Hysa është nëna e Elenës. Ndërsa viktima Mevlute Hysa është motra e ish-bashkëjetueses së personit të dyshuar dhe Hasime Dafku është kunata, nusja e vëllait të Elena e Mevlute Hysa.

Marjana Gurakuqi u plagos me thikë nga Dan Hutra, pasi kishte pasur një lidhje intime me të. Ndërsa Etleva Kurtin e vrau, pasi pretendonte se vëllai i saj Vladimir Kurti, të cilin e kam pasur shok qelie në burg, kishte tentuar ta helmonte.

Në dëshminë e tij, Hutra pranoi krimet, duke deklaruar se i kishte planifikuar me vetëdije dhe se nuk i interesonte sa do të dënohej. Ai shprehu pendesë vetëm për vrasjen e Hasime Dafkut, e cila ishte shtatzënë.

Advertisement