Bota
Vrau 7 foshnja duke u injektuar insulinë
BRITANI– Një infermiere 32-vjeçare është akuzuar për vrasjen e pesë djemve dhe dy vajzave dhe tentativën për vrasjen e 10 foshnjave të tjera në spitalin “Countess of Chester” në Britani.
Lucy Letby dyshohet se ka përdorur insulinë si mjet për të helmuar foshnjat dhe fëmijët.
Letby u arrestua për herë të parë me dyshimin për kryerjen e krimeve në vitin 2018, tha Policia e Cheshire në një deklaratë. Një vit më vonë ajo u arrestua përsëri “me dyshimin për vrasje në lidhje me vdekjen e 8 foshnjave dhe tentativën për vrasjen e 6 foshnjave”, si dhe “vrasjen në tentativë ë tre foshnjave të tjera”, shtoi policia. Gjyqi i 32-vjeçares, e cila mohon akuzat kundër saj, mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, shkruan BBC.
Si u zbulua ngjarja
Deri në janar të vitit 2015, statistikat për vdekshmërinë e foshnjave në njësinë neonatale të këtij spitali ishin në të njëjtat nivele me spitalet e ngjashme. Në 18 muajt që do të pasonin pati një rritje të konsiderueshme të foshnjave që humbnin jetën apo të atyre që pësonin kolaps.
Konsulentët e spitaleve analizuan shumë prej rasteve, por nuk po gjenin dot shkaqet për vdekjet e papritura. Ata vunë re se të gjitha vdekjet kishin një emërues të përbashkët. E pranishme në turn ishte infermierja, Lucy Letby. Pas kësaj nisën hetimet e policisë. Hetuesit zbuluan se nga mesi i vitit 2015 deri në mes të 2016-ës, dikush në njësinë neonatale helmoi 2 fëmijë duke u injektuar insulinë.
Ata ishin 2 binjakë që rrezikuan jetën pak ditë pas lindjes. Mjekët panë se niveli i tyre i sheqerit në gjak ra në menjëherë në nivele të rrezikshme. Por foshnjat mbijetuan për shkak të aftësive të stafit mjekësor që menduan se sheqeri i ulët në gjak mund të kishte shkaqe natyrale. Ajo që stafi mjekësor nuk e kuptoi ishte se në të dyja rastet, shkak ishte rezultat i helmimit me insulinë.
Prokurori tha se askush nuk mendonte se dikush ishte përpjekur të vriste foshnjat në një maternitet. Lucy Letby ishte në detyrë kur të dy binjakët rrezikuan jetën. Në të njëjtën kohë 2 fëmijë të tjerë humbën jetën pasi iu injektua ajër në gjak. Sipas prokurorit ka pasur raste kur fëmijëve u ishte injektuar edhe qumësht në gjak.
“Shumë nga këti raste kanë ndodhur në turnin e natës. Kur Lucy Letby kaloi në turnet e ditës edhe kolapset dhe vdekjet e fëmijëve kaluan në këtë turn” ,tha prokurori. Gjyqi pritet të zgjasë të paktën 6 muaj.