Rajon
Vrau kunatin pasi i përdhunoi të bijën/ Dëshmia e shqiptarit: Bëra atë që duhej, jam baba

Pas ngjarjes së rëndë të regjistruar në Greqi ku 50-vjeçari shqiptar, Fatmir Talellari vrau kunatin e tij 33-vjeçar është zbardhur edhe dëshmia e tij. Vrasja ka ardhur pas rrëfimit të vajzës 18-vjeçare të Talellarit se ishte përdhunuar nga vëllai i njerkës që nga mosha 9-vjeçare. Pas këtij rrëfimi babai i vajzës ka vrarë kunatin e tij me armë gjahu. Në dëshminë e dhënë para autoriteteve 50-vjeçari është shprehur se ka bërë atë që duhej pasi është baba.
“Më helmoi fëmijën, bëra atë që duhej, jam baba. Së fundi, vajza që studion dhe qëndron në një godinë studentore, më kërkonte t’i dërgoja para. E dija se diçka nuk shkonte kur pronari i banesës ku ajo jeton më telefonoi duke thënë se i kishte borxh qiranë, ndërsa ne i dërgonim para rregullisht. Kur fola me vajzën për të kuptuar se çfarë po ndodhte, ajo filloi të qante dhe të më tregonte gjithçka për 33-vjeçarin që e përdhunonte,” u shpreh shqiptari.
Sipas policisë Talellari pas ngjarjes ka telefonuar autoriteteve për t’u treguar se kishte ekzekutuar kunatin e tij dhe se do të dorëzohej. Pak minuta më vonë ai u paraqit në rajonin e policisë dhe u tha se kishte vrarë kunatin pasi vajza e tij kishte treguar se 33-vjeçari e përdhunonte rregullisht në banesën e saj që në moshën 9 vjeçe.
Vajza ishte mbajtur nën presion nga Pelivsani i cili e kërcënonte se do të publikonte foto dhe video gjatë akteve intime që ata kishin së bashku. Pasi vajza i tregoi të atit, ky i fundit bleu një armë dhe i kërkoi bashkëshortes t’i thoshte vëllait ta ndihmoi në një punë. Kur dy burrat dolën në aksin që lidh Volosin me fabrikën e çimentos, në një shesh të izoluar, autori fiku makinën dhe qëlloi viktimën në fytyrë duke e lënë të vdekur në vend.

