Kronike
Vrau me thikë kushëririn/ Hazbi Velsula “kyç” gojën, gjykata jep ‘arrest me burg’ për 31-vjeçarin

Hazbi Velsula, 31 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së kushëririt të tij, Selim Velsula, ka dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë për motivin e krimit, duke kërkuar prani të avokatit mbrojtës dhe duke refuzuar të bashkëpunojë me hetuesit.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 11 qershorit në fshatin Xibër të Matit, ku 65-vjeçari Selim Velsula u gjet i pajetë pak metra larg banesës së tij, me plagë të shumta të shkaktuara nga një mjet prerës. Trupi u zbulua nga një bashkëfshatar, ndërsa brenda pak orësh, policia arrestoi në zonën e Alliasit në Tiranë të dyshuarin e vetëm për ngjarjen, Hazbi Velsula.
Rreth orës 15:30 të ditës së sotme, Gjykata e Dibrës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 31-vjeçarin, i cili do të mbahet në paraburgim deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe për të kuptuar motivin pas kësaj ngjarjeje të rëndë brenda familjes.

