Connect with us

Rajon

Vuçeviç ofron dorëheqjen, pas protestave masive në Serbi

Kryeministri serb, Milos Vuçeviç, do të japë dorëheqjen të martën, njoftoi agjencia e lajmeve Tanjug duke cituar burime, zyrtari më i lartë që largohet që nga përhapja e protestave masive në të gjithë vendin.

Beogradi ka parë protesta të përditshme antiqeveritare që kur një çati u shemb në nëntor në një stacion hekurudhor në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë, ku u vranë 15 njerëz në nëntor.

Protestuesit duke përfshirë studentë, mësues dhe punëtorë të tjerë kanë dalë me mijëra, duke fajësuar për fatkeqësinë korrupsionin brenda qeverisë së presidentit populist Aleksandar Vuçiç.

Një zyrtar qeveritar nuk pranoi të komentojë për gazetën.

Një ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se do t’i dërgojë një kërkesë qeverisë për një “ristrukturim të menjëhershëm” të kabinetit qeveritar. Në një adresim publik, ai ka deklaruar se pret që mbi 50 për qind e ministrave të shkarkohen e të ndërrohen.

“Në këto kohë të vështira, është bërë e qartë se kush është i gatshëm të punojë dhe të luftojë, kush jo, dhe duke pasur këtë parasysh, pres që më shumë se 50 për qind e ministrave të shkarkohen dhe zëvendësohen në një ristrukturim shumë urgjent”.

Vuçiçi ka përmendur gjithashtu incidentin tragjik në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku kanë humbur jetën 15 qytetarë, duke theksuar se kjo ngjarje ka krijuar një atmosferë të tensionuar në Serbi, që, sipas tij, nuk është e dobishme për askënd.

“Gjatë këtyre tre muajve, ne kemi dëgjuar shumë akuza kundër institucioneve shtetërore, thirrje për përmbysje të shtetit, kemi dëgjuar deklarata shumë të papërgjegjshme, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ne në pushtet”, ka shtuar ai.

Ndryshe, ngjarja tragjike në Novi Sad ka nxitur zemërimin e qindra mijëra studentëve në mbarë Serbinë. Ata kanë nisur kryengritjen e madhe kundër regjimit autoritar të Vuçiçit, të cilin e akuzojnë për korrupsion, nepotizëm e  degradim të demokracisë.

Advertisement