Kosova
Vuçiç derdh lumenj me kërcënime, kurse perëndimi qesh…
‘Ne do të dalim nga Këshilli i Evropës nëse Kosova pranohet. Do të kandidojmë për një vend si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nëse votohet rezoluta e Gjermanisë dhe Ruandës dhe do të shkruajmë pa pushim për gjenocidet e Perëndimit. Do të mundim bindshëm dy vende të NATO-s” – Këto janë disa nga mesazhet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçic, i cili tha se muajin e fundit për çdo zjarr të vogël që është shuar, është ndezur një i ri, më i madh. Me të gjitha këto, ai qetësoi publikun vendas por edhe provokoi publikun ndërkombëtar…
Janë dy tema kyçe mbi të cilat presidenti serb ka “ndërtuar” vlerësimin e tij në javët e fundit. E para është pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe e dyta është Rezoluta për Srebrenicën.
Dhe teksa u fol shumë për faktin se do të shqyrtohet pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Vuçic në TV Prva më 22 mars, shumë qartë tha se do të shohim nëse Serbia do të mbetet anëtare e këtij organizimi.
“Do të shohim, ndoshta do t’ju pëlqejë më shumë ta keni Prishtinën në Këshillin e Evropës sesa Beogradin dhe Serbinë” – tha Vuçic pasi organizata konfirmoi se anëtarësimi i Kosovës do të diskutohej në fund të marsit.
Për Vuçicin, ky hap ishte një përjashtim de fakto i Serbisë nga anëtarësimi, megjithëse nuk është e qartë se mbi çfarë baze ai e ndërtoi një pozicion të tillë. Vitin e kaluar, në shkurt dhe mars, pasi u pajtua me marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, Vuçic pranoi edhe pikën 4, ku thuhet qartë se Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Pastaj erdhi Rezoluta për Srebrenicën. Presidenti i Serbisë tha disa gjëra interesante edhe me këtë rast.
Së pari, Serbia do të aplikojë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëse rezoluta për Srebrenicën miratohet në Kombet e Bashkuara.
Dhe pastaj çdo vit Beogradi zyrtar do të paraqeste propozime për rezoluta për gjenocidin e kryer në territorin e Serbisë. Në Kragujevc, Kraljevë etj.
“Dy vende të NATO-s nga Evropa Lindore aplikuan për një anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nëse rezoluta miratohet, ne do të aplikojmë për anëtarësim jo të përhershëm në vitin 2025 në të njëjtën ditë” – tha Vuçic, duke shtuar se Serbia do t’i mposhtë bindshëm të dyja vendet e NATO-s që kanë aplikuar deri më tani. Ai po ashtu theksoi se Serbia çdo vit do të paraqesë propozime për rezoluta për gjenocidin e kryer në territorin e Serbisë.
“Ne nuk do të përmendim gjermanët, ndaj le ta interpretojnë vetë se për kë do flasim. Në disa vende, deri në 80 dhe 90 herë më shumë njerëz vdiqën sesa në Srebrenicë. Pra, le të shohim se si ata do ta refuzojnë kete fakt. Ata kanë hapur kutine e Pandorës dhe së shpejti do të përballen me propozimin e Rezolutës për gjenocidin e popullit sovjetik dhe rus në Luftën e Dytë Botërore” – deklaroi Vuçic.
Duke komentuar narrativën e presidenti serb dhe “kërcënimet” e tij, drejtori i Qendrës për Politikë Praktike, Dragan Popovic, tha për Nova-n se është absolutisht e qartë se mesazhe të tilla janë të dedikuara ekskluzivisht për opinionin vendor.
“Dhe jo për të gjithë, por vetëm për votuesit e Partisë Përparimtare Serbe. Vuçic gjithmonë në këtë mënyrë i është drejtuar simpatizantëve të tij. Kërcënimet e tij janë formuluar në atë mënyrë që ai të duket para tyre, shumë i guximshëm dhe i forte, dhe qytetarëve nuk u mbetet gjë tjetër veçse të fshihen nën zgjedhën e tij. Megjithatë, është fakt se shumica e votuesve të cilëve ai u drejtohet, nuk e dinë fare se çfarë do të thotë kjo, as çfarë është Këshilli i Evropës apo Këshilli i Sigurimit i OKB-së” – deklaroi Popović duke shtuar se “Ata që e dinë se çfarë është dhe çfarë do të thotë të largohesh nga këto organizata ndërkombëtare, e dinë gjithashtu se kërcënimet e Vuçicit nuk do të vjetërohen kurrë”…..