Kosova
Vuçiç dërgon emisarin e tij në Kosovë, letra ka disa kërkesa
Gjatë këtyre ditëve, vizita e ndihmës zëvendës sekretarit të Shtetit Amerikan, Gabriel Escobar, në Kosovë ishte e adresuar te vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit dhe përpjekjet e tij për ta bindur kryeministrin Kurti që të bëjë lëshime në këtë vendim.
Sipas Escobar, kryeministri Kurti nuk i ka pranuar kërkesat e ndërmjetësuesit amerikan për Ballkanin, duke u shprehur se “Çështja e dinarit është kompetencë e BQK-së”!
Por sipas profesorit dhe doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, me sa duket Escobar nuk e beson këtë që thotë Albin Kurti dhe se duket shumë i pakënaqur që kryeministri i Kosovës nuk merr përgjegjësi për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit si monedhë përdorimi në Kosovë.
“Ai e qortoi Kurtin, për mua padrejtësisht, sepse vetë amerikanët kanë imponuar përdorimin e euros në Kosovë. Tani thonë, vazhdoni e përdorni edhe dinarin serb. Na thonë hiqni dorë nga kushtetuta dhe ligjet e vendit, ndërkohë që kritikuan shumë ashpër, si mungesë e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit” – shpjegoi profesor Bytyçi, duke shtuar me tej se bashkësia ndërkombëtare po punon më dy standarde.
“Tani Escobar thotë se janë edhe dy kushte tjera që Kosova të bëhet anëtare e Keshillit te Europës, përkatësisht Asociacioni dhe mos shtetëzimi i pronave për interes shtetëror në veri të Kosovës. Edhe këtu ka një kontradiktë të çuditshme. Ndërsa kërkuan të zbatohet një vendim i kasapit Milosheviç për pronat e Manastirit të Deçanit, tani dalin kundër përdorimit të pronave dhe territorit në veri të Kosovës për interesa shtetërore” – theksoi Bytyçi, sipas te cilit, “Kjo kërkesë është në kundërshtim jo vetëm me kushtetutën e Kosovës, por edhe me Rezolutën 1244. Por ajo që më shqetësoi lidhet me faktin se zoti Escobar paska kërkuar që Kosovës t’i vihen si kushte për pranim në Këshillin e Evropës edhe kushtin e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë” – deklaroi Bytyçi, i cili paralajmëroi edhe një skenar të dëmshëm për Kosovën.
“Përfundimisht unë ia lejoj vetes të them se ndihmës-sekretari amerikan, Gabriel Escobar, erdhi në Kosovë si emisar i Aleksandër Vuçic dhe jo si mbrojtës i interesave të Kosovës, i ligjeve dhe kushtetutës së saj. Së paku duhej ta kursente kushtëzimin e pranimit në KE me asociacionin. Dikush mund të më thotë se SHBA-të nuk janë anëtare të KE-së. Por deklaratat e tij ishin nxitje për aleatët amerikanë në këtë Këshill që të venë kushtëzime të reja. Së paku nuk duhej të thoshte se “mbron interesat e Kosovës”! Duhej ta kursente këtë fjalë, sepse ky është mashtrim i madh”.