LAJMI I FUNDIT
Vuçiç i ankohet ambasadorit rus për situatën në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në zyrën e tij ka pritur ambasadorin e Rusisë, Aleksandër Bocan Kharchenko, me të cilin, siç ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka diskutuar mbi situatën e krijuar në Veri të Kosovës.
Ndonëse Qeveria e Kosovës ka pranuar de-eskalimin e situatës në këtë pjesë të vendit duke larguar 25 për qind të prezencës policore nga ndërtesat komunale dhe përreth tyre, Vuçiç i është ankuar ambasadorit rus, siç pretendon ai, “për dhunën politike, juridike dhe fizike që po ushtron Kosova ndaj serbëve”.
Vuçiç ka njoftuar ambasadorin rus gjithashtu për planin e Serbisë për të kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të informojë mbarë opinionin botëror për përpjekjet e Kosovës për të kërcënuar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.