Rajon
Vuçiç jep ultimatum: Të formohet Asociacioni, ose…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se “lista e detyrimeve të pazbatuara” nga Marrëveshja e Brukselit, që u përmend nga përfaqësuesi i BE-së Miroslav Lajçak, në thelb ka të bëjë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Të gjithë e dinë që thelbi është Asociacioni. Pra, ose do t’i qasen problemit të zgjidhjes së Asociacionit, ose: faleminderit, kaq ishte”, ka deklaruar Vuçiç, para takimit në nivel të lartë në Bruksel që do të mbahet më 27 shkurt.
Vuçiq gjithashtu ka thënë se situata për Serbinë nuk është e thjeshtë, por se “duhet të ruhet paqja dhe se se duhet të jetë gati për kompromise”.
I pyetur nëse do të nënshkruhet diçka në takimin me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti më 27 shkurt në Bruksel dhe nëse Serbia do t’i përmbahet “vijave të kuqe”, Vuçiç ka pretenduar se Serbia “do t’i përmbahet asaj që u tha në parlamentin serb në fillim të shkurtit, në seancën e posaçme për Kosovën”.
Analistët e Kosovës nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Mediat e Kosovës kanë shkruar se kushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit.