Shkrime
Vuçiç ka të drejtë, ja ka dhënë Edi, Hashimi dhe Batoni
Nga Enver Bytyçi
Dy ditë më parë presidenti i Serbisë vijoi edhe më tej me akuzat e tij për armatosjen e Kosovës. Ai u shppreh se “Kosova po armatoset në mënyrë të paligjshme” dhe se do të “intervenonte, po të ishte nevoja edhe kundër SHBA-ve, për këtë rast.
Në fakt ai nuk konteston vetëm forcimin e ushtrisë më profesionale në Evropë, të Kosovës. Ai konteston gjithçka, dhe para së gjithash lirinë dhe pavarësinë e saj, konteston integritetin territorial, si dhe vetë ekzistencën e saj.
Vucic, njësoj si të gjithë paraardhësit e tij, do një Kosovë pa shqiptarë, të spastruar etnikisht. Fiksioni dhe programet serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve janë formuluar para 200 vitesh dhe janë zbatuar në mënyrë permanente prej vitit 1876-1878 e këtej, nisur nga Nishi për të ardhur në Prizren e në Gjakovë. Të gjitha këto janë të dokumentuara dhe dihen. I kanë dëshmuar dhe kronikanë, politikanë e historianë të Serbisë.
Dhe teksa kanë ndodhur shumë vepra mizore nga ana e Serbisë së Milosheviçit dhe të Vuçiçit, ne na duhet të dëgjojmë nga Aleksandër Vuçic, të flasë për “padrejtësi”, duke mos pranuar se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur dhe se ajo po armatoset për te forcuar mbrojtjen e saj nga Serbia dhe nga Rusia.
Dhe e dini pse po ndodh e gjitha kjo?
A e dini kush ia dha këtë shans kreut të shtetit të Serbisë? Sepse Shqipëria nuk u investua për të kërkuar llogari për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin serb në Kosovë. Sepse kryeministri i Shqipërisë “ngatërroi” qëllimisht radhën e punës. Tha: “Më parë zgjidhja e konfliktit e në fund ndjesa serbe për krimet që ajo ka bërë në Kosovë”! Tha se gjenocidi serb në Kosovë ishte “një rrëmujë ballkanike”!
Tha se në emër të paqes dhe stabilitetit “duhet të harrojmë të shkuarën’, d.m.th. të harrohet gjaku i derdhur për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ndaj dhe sot Vuçiç, në vend që të japë llogari, kërkon hesap!
Ndërsa këshilltari i tij, Baton Haxhiu, publikisht bëri thirrje “të harrohet ajo që ka ndodhur para 20 vjetëve” e të “pajtohemi me Serbinë”, d.m.th pa i kërkuar asaj llogari për krimet dhe gjenocidin e saj në Kosovë. Madje shkoi edhe më tej, kur kërkoi që Serbia të shpërblehet me territore shqiptare e në këmbim të kësaj të zhbëhet Gjykata e Kosovës në Hagë. Për të shpëtuar Hashim Thaçin, Edi Rama dhe Baton Haxhiu janë të gatshëm të “harrojnë krimet kundër njerëzimit dhe genocidin serb në Kosovë” dhe jo vetëm kaq: – Ta ndajnë Kosovën, dhe pasuritë e saj t’ia japin Serbisë. I këtij kursi ishte dhe vetë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ithtarët e të cilit edhe sot propagandojnë në ekrane televizive pikërisht ndarjen e territorit të saj.
Në këto rrethana lehtësuese Aleksandër Vuçiç është plotësisht i motivuar kur flet për “shkelje të ligjit ndërkombëtar” pse Kosova është e lirë dhe e pavarur. Ai është i dëshpëruar që tashmë nuk ka mundësi të ushtrojë gjenocid kundër shqiptarëve. Ai është në të drejtën e vet të kundërshtojë “forcimin e ushtrisë së Kosovës”, sepse askush nuk po i thotë troç, as ndërkombëtarët, se “Liria dhe pavarësia e Kosovës janë produkt i gjenocidit serb kundër shqiptarëve”!
Nëse të gjithë aktorët dhe faktorët shqiptarë të politikës, akademisë, etj do të insistonin nga fillimi e deri sot në përgjegjësinë e Serbisë për gjenocidin që ajo ka bërë në Kosovë dhe nëse do i kërkohej Beogradit fillimisht ndjesa e pastaj zgjidhja e konfliktit, sot presidenti i Serbisë nuk do mund të kontestonte as lirinë, as pavarësinë, as ushtrinë e Kosovës.
Ata që e ndihmuan Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçic në politikat agresive dhe diversive kundër Kosovës duhet të skuqen. Duhet të kërkojnë ndjesë. Të mos na hiqen si “koka e Zeusit” për të rekomanduar zgjidhje, ndërkohë që zgjidhjen e kanë mohuar që në fillim!