Kosova
Vuçiç: Kosova po fuqizohet ushtarakisht, Amerika po e ndihmon
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se vazhdimi i armatosjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës synon të largojë plotësisht çdo gjurmë të ekzistencës së Serbisë nga territori i Kosovës.
Udhëheqësi serb ka reaguar pas lajmeve se Kosova pritet të blejë raketa amerikane “Javelin” në vlerë të 75 milionë dollarëve
“Deklaratat e disa zyrtarëve kosovarë na lënë të kuptojmë pa mëdyshje se shkatërrimi i popullit serb është i qartë dhe mesazhi është se nuk ka vend për serbët” – tha presidenti Vuçiç, duke shtuar se “Kosova po formon forcë jashtëzakonisht të fuqishme dhe se ajo po udhëhiqet nga Amerika, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, duke theksuar se për këtë Serbia duhet të forcojë në mënyrë drastike ushtrinë e saj.
“Deri në vitin 2027 ata në Kosovë planifikojnë të kenë 5,500 ushtarë profesionistë dhe 20,000 rezervistë”, tha Vuçiç
Lideri serb tha se kjo nuk lejohet sipas ligjit ndërkombëtar dhe vendimit të Kombeve të Bashkuara, por ata nuk janë të interesuar për këtë “sepse munden”.
Ai saktësoi se Kosova e merr ndihmën më të madhe ushtarake nga SHBA-ja, Turqia, Gjermania, Britania e Madhe, por edhe nga Kroacia.
Sipas tij, situata nuk është e lehtë sepse Serbia është e rrethuar nga aleanca e NATO-s, forcat e së cilës janë të dislokuara edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
Vucic tregoi gjithashtu se Forcat e sigurisë së Kosovës kanë 223 automjete të blinduara dhe se planifikojnë ta rrisin këtë numër në 350.