Connect with us

Kosova

Vuçiç kundër Hovenier’it se Asociacioni formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka kundërshtuar deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në një prononcim për televizion publik serb nga Parisi, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes, duke iu përgjigjur deklaratës së ambasadorit amerikan, Vuçiç fillimisht ka pyetur se pse Beogradi zyrtar negocioi dhe po negocion në Bruksel për këtë çështje.

“Nëse diçka është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, çfarë kemi negociuar në Bruksel, çfarë është negociuar, çfarë kemi nënshkruar? Kjo do të thotë se serbët mund ta vendosin edhe sot nëse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe askush nuk mund t’ua ndalojë”, pretendoi Vuçiç.

Në një konferencë për media të enjten, Hovenier tha se drafti i Asociacionit “është konsideruar nga ne që respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës”.

“Pozita jonë është që Asociacioni duhet të jetë brenda kushtetutshmërisë së Kosovës, duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetues dhe nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk do të jetë shtresë e re e qeverisjes”, pohoi Hovenier.

Në përgjigje të kësaj deklarate, kreu i Serbisë përdori një thënie të vjetër serbe: “Çfarëdo që i pëlqen gjyshes, atë ëndërron”, duke tentuar kështu që të ironizoi diplomatin amerikan.

Advertisement