Kosova
Vuçiç luan kukafshehthi me vendimet rreth çështjeve me Kosovën
Autoritetet serbe kanë bërë të ditur se nga janari, makinat në targa RKS do të lejohen brenda territorit të Serbisë. Këtë vendim e publikoi, shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Lidhur më këtë ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili e quajti manovër të Vuçicit për të ulur presionin nga perëndimi demokratik.
Edhe diplomati holandez, Robert Bosch, e sheh këtë vendim si taktikë politike nga ana Partisë Progresive Serbe. Sipas tij qëllimi i partisë në pushtet është të tregojë se ata janë konstruktiv para komunitetit ndërkombëtar.
“Me këto vendime që po marrin, qëllimi i Partisë Përparimtare Serbe, është të tregojë se sa konstruktiv janë ata para ndërkombëtarëve. Partia në pushtet po synon të dëshmojë që janë të gatshëm për bisedime me ndërkombëtarët për çështjen e dialogut me Kosovën. Por, unë konsideroj se pozicioni i tyre po lëkundet për shkak të pakënaqësive të qytetarëve të cilët po protestojnë gjithnjë e më shumë kundër këtij regjimi. Ju mund ta shihni se sa shumë qytetarë kanë dalë nëpër rrugët e Beogradit dhe ata duket se nuk e kanë ndërmend të ndalen derisa diçka të ndryshojë. Mendoj që tani e tutje edhe pozicioni i ndërkombëtarëve karshi Serbisë paksa do të ndryshojë. Tani të presim dhe të shohim se a do të respektohet kjo marrëveshje më 1 janar”- tha diplomati Bosch.
Mirëpo, ndryshe këtë situatë e vlerëson analisti politik nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, I cili u shpreh se ky vendim nuk u mor për kalkulime politike, po për t’ia lehtësuar udhëtimin qytetarëve serbë.
Kujtojmë që Qeveria e Kosovës, disa herë e ka shtyrë afatin për regjistrimin e makinave për t’u dhënë më shumë kohë qytetarëve në veri të Kosovës, të cilët që nga paslufta kanë përdorur targa të lëshuara nga autoritetet serbe.