Rajon
Vuçiç: Marrëveshja për dokumentet është një ujdi…
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 28 gusht se Serbia ka arritur të nxjerrë më të mirën e mundshme nga marrëveshja me Prishtinën, duke shtuar se marrëveshja për dokumentet është një ujdi verbale.
Pasi vëzhgoi stërvitjen e përbashkët të policisë dhe ushtrisë në poligonin Pasullanksa Livada, Vuçiq u tha gazetarëve se marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljes është verbale sepse është marrëveshje e nënshkruar më 2011, në kuadër të dialogut në Bruksel.
“[Për shkak se marrëveshje veç është e nënshkruar] Nuk ishte e vështirë, ishte e lehtë për të gjithë”, tha Vuçiq.
Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, 11 vjet më parë kishin arritur Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, që parashihte lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje.
Vuçiq tha se është “gjithmonë” i gatshëm që të marrë pjesë në mbledhje të Kuvendit të Serbisë sa i përket Kosovës.
Bashkimi Evropian njoftoi më 27 gusht se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për eliminimin e lëshimit të dokumenteve për hyrje-dalje.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes. Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.
Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.
Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.
Qeveria ka thënë se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim.
Vendimi për targat dhe ai për dokumentet serbe rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë. Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri, por pas heqjes së barrikadave, Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për 1 shtator.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara shtuan përpjekjet për të bindur palët që të ulin tensionet dhe të arrijnë ujdi për këto dy çështje. Në BE u mbajt një rund i dialogut më 18 gusht, por pa marrëveshje. Ndërkaq, gjatë kësaj jave, në kuadër të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje për targat dhe dokumentet serbe, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi, për të marrë zotimin e palëve se nuk do të ketë përsëritje të dhunës në veri.
/REL