Connect with us

Kosova

Vuçiç, mashtrues i besimit/ ‘Washington Post’ reagon ashpër ndaj presidentit serb

“Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, mori detyrën në vitin 2021, administrata e tij e shpalli Ballkanin Perëndimor, prej kohësh të paqëndrueshëm, një përgjegjësi për Europën dhe me kalimin e kohës ata konstatuan se Serbia, vendi më i madh në rajon, mbeti me kokëfortësi në orbitën e Rusisë” – Kështu shkruan e përditshmja amerikane, “The Washington Post”, duke treguar se “ Politika e presidentit amerikan ishte ta mbante ‘të përqafuar’ presidentin autoritar Aleksandër Vuçiç, në përpjekje për ta ndarë Serbinë nga Rusia, një politikë kjo që tani po formësohet gjithnjë e më shumë si dështim”.

Në editorial thuhet seVuçiç sigurisht që është i kënaqur me veten. Rusia është hajmali e fuqishme në politikën serbe dhe ai e ka përdorur mirë atë për vite me radhë. Shumë serbë e shohin Moskën si një fuqi e madhe mbrojtëse, veçanërisht që kur NATO bombardoi Beogradin në vitin 1999. Duke nxitur pakënaqësi kundër Perëndimit me supozime dhe teori konspiracioni,  dhe duke u rreshtuar krah me Moskën, Vuçiç shënon pikë me shumicën nacionaliste në vend, teksa dhe i portretizon kundërshtarët e tij demokratikë si marioneta të interesave të huaja. Megjithatë, privatisht, presidenti serb vazhdimisht i siguron zyrtarët perëndimorë se ai po lufton për ta drejtuar kombin e tij të pabindur në rrugën e Bashkimit Evropian, dhe se ai është partneri i tyre i vetëm i besueshëm”

Vlen të kujtohet se administrata Biden e bazoi politikën e saj të pajtimit në garancitë private të Vuçiçit. Edhe pse disa kriza të rrezikshme vitin e kaluar në Kosovë patën “dorën serbe”, SHBA-ja shmangu fajësimin e tepërt të presidentit serb dhe preferoi të bënte thirrje për qetësimin e situatës.

“Pas dyerve të mbyllura, sot Vuçiç ndoshta po i bind liderët perëndimorë se është ende në anën e tyre. Por duke marrë parasysh sa pak rezultate ka sjellë politika pajtuese, administrata e presidentit amerikan Joe Biden duhet të pyesë veten nëse është koha për të provuar diçka të re” – mbyll editorialin e saj prestigjozja amerikane.

Advertisement