Kosova
Vuçiç ndjen frikën e madhe, Marrëveshja e Ohrit kusht për anëtarësimin në BE
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se ekziston mundësia që Marrëveshja e Ohrit e 18 marsit, të bëhet pjesë e negociatave të kapitullit 35-të me Bashkimin Evropian, dhe ka shtuar se për këtë gjë, janë dy vende që po bëjnë presion, por pa i specifikuar konkretisht se cilat.
Në kapitullin e 35-të, të cilit i referohet Vuçiç, për pranimin e Serbisë në Union, ndër të tjera përfshihet edhe marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën.
“Të shohim se çfarë do të ndodhë, sepse ata nuk mund të anashkalojnë ato që kanë diskutuar me mua. Pas çdo vizite të tyre, pas vetë Ohrit, kam dalë dhe kam thënë qartë se çfarë pranojmë dhe çfarë nuk pranojmë, sepse deklarata ime e qartë verbale është edhe qëndrim i shtetit serb” – ka theksuar Vuçiç, i cituar nga media opozitare serbe “Danas”.
Akorduar me 18 mars në Ohër, pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb Vuçiç, ishte në fakt aneks sqarues për atë që ishte arritur më pare në Bruksel më 27 shkurt, ku përmes 11 neneve, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës besonin se kishin gjetur zgjidhjen për të ecur përpara.
Aty Kosova – veç të tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.
Nga ana tjetër, Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.
Mirëpo, kreu i shtetit serb ka theksuar se edhe në Kuvendin e Serbisë u ka thënë deputetëve se “nuk bëhet fjalë për pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, teksa ka shtuar se “për këtë kam informuar edhe francezët, gjermanët, italianët, të gjithë evropianët dhe amerikanët”.
“Të gjithë dinë gjithçka” – potencoi Vucic dhe përsëriti frikën e tij se “ekziston mundësia që Marrëveshja e Ohrit të bëhet pjesë e procesit të negociatave mes Serbisë dhe BE-së.”
“Disa prej tyre e duan të bëhet. Nuk është vendi të them emra, por jam I sigurt se janë dy vende që po shtyjnë fort. Ndoshta duan edhe vende të tjera. Të presim e të shohim” – u shpreh presidenti serb
Disa ditë më pare, media ndërkombëtare raportuan se shtetet anëtare të BE-së do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në Union, të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes Bazë dhe të gjitha obligimeve të tjera të dala nga marrëveshjet në kuadër të dialogut.
Ky propozim pritet që të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel, ku Këshilli për Çështje të Përgjithshme, pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së, që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në Union.
Përfshirja e obligimit për normalizimin e raporteve me Kosovën në kornizën negociuese për anëtarësim në BE, është përmendur edhe nga zyrtarë te lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër, të bëhen “ligjërisht të obligueshme”.