Connect with us

Rajon

Vuçiç “në gjunjë” para Putinit: Kemi pasur shumë presion, por nuk e tradhtuam Rusinë

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç janë takuar sot në Pekin, me ftesë të presidentit kinez Xi Jinping, ku të dy do të marrin pjesë në paradën madhështore që do të zhvillohet në sheshin Tiananmen të mërkurën. Takimi, i zhvilluar në një moment të ndjeshëm për politikën ndërkombëtare, vjen si një tjetër sinjal i afrimit të Beogradit me Moskën.

Vuçiç e falënderoi Putinin në rusisht për pritjen që iu bë gjatë vizitës së tij në Moskë më 9 maj, ndërsa Putin theksoi se Rusia “respekton politikën e pavarur të Serbisë”. Kremlini ka qenë tradicionalisht një mbështetës i hapur i Beogradit për çështjen e Kosovës dhe sot ky mesazh u përsërit në mënyrë të qartë.

Për Serbinë, bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Rusinë në të gjitha fushat është shumë i rëndësishëm dhe shpresoj se do të kemi mundësinë të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është një fushë shumë e rëndësishme, veçanërisht prokurimi i gazit”, tha ai.

Serbia është në një situatë të vështirë. Dua t’ju informoj se që nga fillimi i krizës ukrainase, Serbia ka qenë nën presion të madh, por ne prapë kemi arritur të ruajmë pozicionin tonë në raport me Federatën Ruse. Do të vazhdojmë të luftojmë për pavarësinë e Serbisë dhe gjithashtu do të përpiqemi të mbetemi vendi i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Federatës Ruse”, shtoi ai.

Vuçiç theksoi gjithashtu projektin e tubacionit të naftës me Hungarinë, duke e cilësuar si një hap për të forcuar edhe më shumë bashkëpunimin energjetik me Rusinë. Ai ftoi hapur kompanitë ruse të përfshihen në projektet e infrastrukturës në Serbi.

Nga ana e tij, Putin nënvizoi se Rusia e sheh Serbinë si një partner strategjik dhe vlerëson faktin që Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të Perëndimit.

Takimi i sotëm është një mesazh i qartë politik: Serbia, edhe pse është zyrtarisht kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, po thellon lidhjet me Moskën, duke u rreshtuar gjithnjë e më shumë në orbitën gjeopolitike të Rusisë.

Advertisement