Kosova
Vuçiç në Paris me ‘krahë të prera’, Macron i tregon busullën e humbur
“Marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër duhet të zbatohen dhe Prishtina duhet të bëjë përparim në themelimin e Unionit të Komunave Serbe, në përputhje me aspiratat e saj për të marrë pjesë në Këshillin e Evropës” – kështu tha presidenti francez Emmanuel Macron në një fjalim të përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, teksa dhe ka theksuar se Franca do të bëjë gjithçka për tu zbatuar marrëveshjet e arritura mes Prishtines dhe Beogradit, të cilat sipas tij, po mbajnë peng stabilitetin e rajonit dhe Europës.
Presidenti francez gjithashtu u shpreh se është vendimtare që përgjegjësit për ngjarjet në Banjskë të dalin para drejtësisë dhe një dramë e tillë të mos përsëritet më.
“Unë jam i vetëdijshëm se sa të vështira janë këto kompromise, por liderët që kanë guxim dhe vizion do të kontribuojnë për paqen dhe stabilizimin e rajonit” – theksoi Macron.
Presidenti francez nënvizoi se vizita e Vuçiçit në Paris, vjen në momentin e “të vërtetës për Evropën”, teksa agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë kurse Evropa po hyn në një epokë të re ribashkimi.
Ai foli eshe “zgjedhjet shumë të qarta në aspektin gjeopolitik” për presidentin serb.
“Serbia nuk duhet të dyshojë drejtimin, sado të freskëta të jenë plagët e së kaluarës së afërt, se e ardhmja e saj është në BE dhe askund tjetër. Është një zgjedhje strategjike që duhet ta konfirmojmë. E ardhmja e Evropës po ndërtohet në momente që janë shumë sfiduese për racën njerëzore dhe nuk duhet të dyshoni në synimin e Evropës për t’ju marrë nën krahun e saj. Ne duhet të ecim përpara së bashku dhe nuk duhet të humbasim këtë moment historik” – theksoi Macron, duke shtuar se është e rëndësishme që Serbia të vazhdojë ta konkretizojë zgjedhjen e saj përmes harmonizimit të mëtejshëm të politikës së jashtme dhe në këtë drejtim përshëndeti pjesëmarrjen e Vuçiçit në takimin e fundit të liderëve të Ballkanit Perëndimor me kreun e shtetit ukrainas në Tiranë.
Nga ana tjetër, Aleksander Vuçic, ka thënë se Serbia ka përmbushur gjithçka që është paraparë në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, ndërsa Prishtina nuk ka bërë asgjë – Bashkimi i Komunave Serbe, që është obligim i tij, por Albin Kurti nuk ka lëvizur nga “pika e vdekur”.