Connect with us

Rajon

Vuçiç pas takimit me Rubion: Mirënjohës SHBA-së për mbrojtjen e serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të martën, ka takuar Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ndër temat e diskutuar mes tyre, siç njoftoi Vuçiç, nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ishte edhe situata në Kosovë, ku presidenti serb ka shprehur mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë.

“Shpreha mirënjohje për kontributin e tyre në procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinë. Njëkohësisht, ne vlerësojmë mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, që përfaqëson një nga objektivat strategjikë të vendit tonë”, ka shkruar Vuçiç.

Duke përshkruar takimit si të rëndësishëm dhe domethënës, Vuçiç, njoftoi se me Rubion ka diskutuar edhe mbi forcimin e dialogut politik ndërmjet Serbisë dhe SHBA-ve, përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik dhe sfidat e përbashkëta të sigurisë.

“Fokusi i bisedës ishte tek ekonomia dhe tregtia, veçanërisht në trajtimin e çështjeve që lidhen me tarifat amerikane. Diskutuam gjithashtu për mundësinë e investimeve të reja, bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe teknologjive të reja, si dhe perspektivat që ofron mekanizmi i dialogut tonë strategjik”.

Gjatë takimit, Vuçiç i ka thënë Rubios se Serbia “është e përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes dhe stabilitetit, si parakusht për çdo përparim të mëtejshëm dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët”.

I kënaqur nga ky takim ka dalë edhe sekretari Rubio.

“Diskutuam mbi Dialogun Strategjik që dy vendet tona do të nisin së shpejti dhe mbi pjesëmarrjen e SHBA-së në EXPO 2027 – të dyja këto janë mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet tona dypalëshe, ndërsa synojmë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë së bashku”, shkroi ai pas takimit në platformën sociale, X.

Advertisement