Connect with us

Rajon

Vuçiç politikan xhongler, me një këmbë në Bruksel dhe me tjetrën në Pekin e Moskë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, shtegton mbi valë shumë polare, duke çuar përpara bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, teksa përafron lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusinë dhe Kinën, shkruan revista prestigjoze Parliament Magazine” në një artikull kushtuar pozicionit gjeopolitik të Serbisë.

Ajo është në mesin e dhjetë kandidatëve që kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE, proces që ka nisur më 2014. Për Vuçiçin, anëtarësimi në BE premton fonde, qasje në treg dhe legjitimitet – por edhe zgjidhje të “çështjes” së Kosovës.

“Vuçiçi ka mbajtur një qëndrim pro-evropian, duke e përcaktuar anëtarësimin në BE si objektiv nacional. E në praktikë, ai është duke theksuar lidhjet me fuqitë botërore rivale: Kina ndërton autostrada në Serbi  dhe Rusia e furnizon me energji. Brukseli vazhdon t’i ofrojë legjitimitet, pavarësisht ecjes së ngadalshme në reforma”.

Afersia e Vuçiçit për të naviguar në mes të Evropës, SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, është rezultat i ngecjes së procesit të zgjerimit. Serbia vazhdon të shënojë rënie në indeksin për lirinë e mediave dhe të drejtat demokratike. “Kjo i ka dhënë Vuçiçit hapësirë të merret me fuqitë rivale, ndërsa bën premtime boshe për anëtarësim në BE”.

Pavarësisht inkurajimit të liderëve evropianë, kujton autorja e artikullit, rruga e Serbisë drejt anëtarësimit ka ngecur. Përderisa ajo ka hapur zyrtarisht 22 nga 35 kapitujt, që nga nisja e negociatave, deri tash i ka mbyllur vetëm dy. Vuçiçi gjithashtu vazhdon të rezistojë harmonizmin me politikën e jashtme të BE-së, sidomos për Ukrainën.

“Strategjia e Vuçiçit i ka siguruar pikë në Serbi, në mesin e nacionalistëve të krahut të djathtë. Por protestat e studentëve vazhdojnë të tendosin shtetin. Ata kanë protestuar kundër korrupsionit qeveritar, pas vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe në një stacion treni në qytetin e Novi Sadit në nëntor të vitit 2024”, shkruan ajo.

Në artikullin e revistës evropiane që është themeluar në vitin 1995 thuhet se përderisa Serbia balancon fuqitë e ndryshme gjeopolitike, ajo vazhdon të legjitimohet nga liderët e BE-së – që e kanë përqafuar Vuçiçin si aleat, duke iu referuar si “misionar demokratik” i Serbisë dhe duke thënë se BE-ja s’mund të ekzistojë si e plotë pa Serbinë.

“Në letër, Serbia është më afër BE-së se sa që ka qenë në të kaluarën. Por në realitet, ajo është larg standardeve dhe rregullave të BE-së […] Përderisa Vuçiçi ka realizuar marrëveshje të dobishme për BE-në – si dërgimi i armëve për Ukrainën, nënshkrimi i marrëveshjes së litiumit me Gjermaninë dhe blerjen e aeroplanëve ushtarakë nga Franca – kjo s’ia ka zbutur sjelljet prej autokrati apo përqafimin për Rusinë”.

Rusia mbetet aleate e rëndësishme e Serbisë, sidomos në mbrojtjen e saj nga presioni ndërkombëtar rreth Kosovës, kujton autorja. Serbia vazhdon ta refuzojë pavarësinë e Kosovën dhe mbështetet në fuqinë e vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Kjo ka forcuar ngurrimin e Serbisë për t’u lidhur plotësisht me Perëndimin në çështjet kryesore gjeopolitike. Mbështetja vjen me kosto të vogël për Rusinë dhe ia siguron asaj marrëveshjen e favorshme për energjinë – në këmbim”, thuhet tutje në artikull.

Vuçiçi ka thelluar raportet edhe me Pekinin, sidomos gjatë pandemisë COVID-19. Kina ka investuar mbi 10 miliardë dollarë në Serbi nëpërmjet iniciativave të ndryshme, me shumicën e mjeteve që kanë shkuar për infrastrukturë si ura, ndërtesa e transport.

Advertisement