Connect with us

Shkrime

Vuçiç pret takim të vështirë/ ‘BE-ja e mbështet gjithmonë Kosovën’

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media pas përfundimit të takimit të parë të samitit të Procesit të Bërdo-Brionet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ka thënë se pret që takimi i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) të jetë i vështirë.

Më 14 shtator në Bruksel pritet të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb nën ndërmjetësimin e BE-së, pas takimit të fundit më 2 maj, ndërsa Vuçiçi ka adresuar ankesën se përfaqësuesit e BE-së e mbështesin gjithmonë pavarësinë e Kosovës.

“Unë pres që do të jetë takim i vështirë, asnjëri prej tyre nuk ka qenë i lehtë dhe jo sepse po flasim me Kurtin, por po flasim me përfaqësuesit e Brukselit dhe ata gjithmonë do ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, në një mënyrë apo në një tjetër” – ka thënë presidenti serb në një konferencë për media.

Eskalimi i situatës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që i mbajti të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa përfaqësuesit e BE-së presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit.

Në dritën e “fërshëllimes” së zgjerimit të BE-së deri në vitit 2030, presidenti serb ka shprehur skepticizmin e tij se kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, duke thënë se nuk dëshiron t’i gënjejë qytetarët e Serbisë, teksa vetën e ka cilësuar “ujk” dhe “veteran politik”.

“Unë jam veteran politik, jam ujk. Nuk mund të besoj se ne do të hyjmë në BE në 2026, nuk do të na pranojnë në 2027 as edhe në 2028. Nuk do të gënjej popullin as për shkak të zgjedhjeve, as për ndonjë gjë tjetër”, ka theksuar Vuçiçi.

Perspektiva e Serbisë drejt BE-së është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal, pasi gjatë gjithë historisë saj, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Advertisement