Connect with us

Rajon

Vuçiç shfaqet i merakosur: Bordi i Paqes ka përçarë Europën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Bordi i Paqes, i cili u iniciua të enjten e shkuar në Davos, e ka ndarë edhe më tej Evropën dhe se e ardhmja nuk do të jetë e lehtë.

I pyetur se çfarë do të thotë ky Bord për botën, ai tha se ende nuk është plotësisht i sigurt.

“Disa thonë se është një organizatë paralele me Kombet e Bashkuara. Nuk jam i sigurt dhe nuk mendoj se kjo është e mundur kaq thjeshtë. Do shohim edhe se cilat do të jenë detyrat e Bordit”, theksoi Vuçiç.

Bordi i Paqes, të cilin presidenti amerikan, Donald Trump, do ta drejtojë për një periudhë të pacaktuar, ishte konceptuar fillimisht për rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe militantëve palestineze, por misioni i tij është zgjeruar për të adresuar edhe konflikte të tjera globale. Disa aleatë tradicionalë të Shteteve të Bashkuara në Evropë kanë hezituar t’i bashkohen Bordit të Paqes, përjashtuar Kosovën dhe Shqipërinë.

Asnjë prej katër anëtarëve të tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit nuk kanë pranuar ende ftesën për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare që shumë druajnë se mund të zbehë rolin e Kombeve të Bashkuara.

Advertisement