Kosova
Vuçiç, si i mbyturi pas fijes së barit, sot Kosova merr votat në KiE
Ish-ambasadorja serbe në OSBE, Branka Latinoviç, me rastin e mbledhjes së Komisionit Politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku do të votohet për rekomandimin e raportueses Dora Bakojanis, që Kosova të pranohet në këtë organizatë, tha se në rekomandim Kosova është vënë në thonjëza, që do të thotë se ka pasur ndonjë formulë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe se thonjëzat nënkuptojnë se është një vend i diskutueshëm.
“Është dhënë një rekomandim që në thelb synon pranimin e kërkesës së Kosovës për t’u pranuar në Këshillin e Evropës dhe që Komiteti i Ministrave të marrë një vendim në përputhje me rekomandimet sa më shpejt të jetë e mundur. Një rrethanë lehtësuese për autoritetet në Prishtinë ishte se kishin një kornizë të mirë ligjore në letër, për të cilën po punohej nga ekspertë të huaj. Ky ishte një nga elementët që i ‘tërhoqi’ raportuesit për ta përdorur atë si një nga argumentet për të bërë rekomandimin”- tha Latinoviç.
Përveç një kushti të përmbushur për pranimin e Kosovës, persa i përket manastirit të Deçanit, ajo tha se eshte premtuar me shkrim se presidentja, kryetari i Qeverisë dhe Kuvendi i Kosovës do t’i përmbushin kushtet e tjera që kanë të bëjnë me negociatat ne procesin e zhvilluar nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Duhet pasur parasysh se vetë raporti rekomandon monitorim të fortë, që do të thotë se angazhimet e ndërmarra nga Kosova do të jenë nën monitorim të fuqishëm nga komisioni përkatës, ose ndoshta do të hapet një mision i Këshillit të Evropës në Prishtinë për të monitoruar dhe kontrolluar” – theksoi Latinoviç.
Ajo u shpreh se ky nuk është një proces i izoluar, por se duhet parë në kontekstin e momentit politik në rajon lidhur me ngjarjet gjeopolitike në kontinent që lidhen me luftën në Ukrainë dhe aspiratën për të vendosur të gjithë rajonin nën kontroll të fortë të organizatave ndërkombëtare, duke përfshirë përshpejtimin e procesit të integrimit në BE.
Latinovic theksoi se aktualisht nuk e di se cili do të jetë epilogu i gjithë historisë, por se gjithçka tregon se për Kosovën mund të pritet që në një të ardhme të parashikueshme, të rishihet statusi i saj në organizatë.