Connect with us

Kosova

Vuçiç takon Dodik-un: Serbia s’duhet të ndalet

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me Presidentin ultra-nacionalist të Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, me të cilin ka thënë se ka pasur një “bisedë të shkëlqyer”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Vuçiç përmes një postimi në llogarinë e tij në platformën Instagram.

Ky takim i Vuçiç-it me Dodik-un vjen në prag të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë, të cilat pritet që të mbahen më 17 dhjetor, derisa presidenti autoritar ka shprehur mbështetjen e tij të hapur për Partinë Progresive Serbe, partinë e Vuçiç-it.

“E falënderova presidentin Dodik për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm në periudhën paraprake dhe veçanërisht për dëshirën e shprehur që politika që përfaqësoj në Serbi të fitojë zgjedhjet e së dielës”, ka shkruar kreu serb dhe ka shtuar se “të dy kanë thënë se Serbia nuk duhet të ndalet”.

Zgjedhjet parlamentare në Serbi priten që të mbahen më 17 dhjetor dhe Dodik ka shprehur hapur mbështetjen e tij ndaj partisë së Vuçiç-it.

Po ashtu, SNS-ja në këtë fushatë është duke luajtur me kartën e Kosovës, në mënyrë që të fitojë votat tek nacionalistët serbë.

Kujtojmë se Millorad Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, teksa një gjë të tillë po kërkohet që ta bëjë edhe Bashkimi Evropian.

Advertisement