Connect with us

Kronike

Vuçiç vendos kushte

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se barrikadat në veri do të hiqen kur Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Fillimisht formoni Asociacionin e komunave serbe, pastaj do t’i heqim barrikadat”, tha Vuçiç para gazetarëve në Azerbajxhan, ku po qëndron për vizitë dy-ditore.

Siç raporton “N1”,  Vuçiç gjithashtu ka thënë se Prishtina nuk dëshiron të dëgjojë, por vetëm të poshtërojë Beogradin.

“Mund të përpiqeni (të poshtëroni) deri në një kufi të caktuar, më tej kur nuk kemi ku të shkojmë,  ne do të mbrohemi”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu vlerësoi se sjellja e KFOR-it është shumë më korrekte sesa sjellja e shumicës së qeverive perëndimore.

Presidenti serb ka kërkuar shpjegim nga Prishtina në lidhje me arrestimin e ish-policit të policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, duke thënë se Beogradit nuk i janë thënë arsyet e arrestimit të tij. Tensionet në veriun e Kosovë kanë kulmuar më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit serb i cili akuzohet për përfshirje në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe atyre policorë në veri. Autoritetet e Kosovës u përpoqën të organizojnë zgjedhje në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç – pas vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës. Braktisja e institucioneve, me mbështetjen e Serbisë, ndodhi pas vendimit të Qeverisë Kurti për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në veri të vendit.

Me sugjerimin e BE-së dhe të SHBA-së, zgjedhjet u shtynë për në pranverë të vitit të ardhshëm. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u bëjnë vazhdimisht thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Advertisement