Connect with us

Kosova

Vuçiçi paralajmëron “skenarë të paparashikueshëm” për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi “skenarë të paparashikueshëm dhe pasoja të mëdha” në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, dhe shprehu nevojën për “ndërmjetësim të besueshëm dhe mbështetje ndërkombëtare” nga Organizata e Kombeve e Bashkuara, për të parandaluar “inxhinierinë dinake etnike” ndaj serbëve të Kosovës.

“Është koha të kuptohet se nëse populli serb në Kosovë nuk mund të mbështetet te OKB-ja, si një arbitër objektiv dhe dikush që do të parandalojë inxhinierinë dinake etnike të Prishtinës, kam frikë se kjo do të sjellë mundësinë e skenarëve të paparashikueshëm me pasoja të mëdha” – tha presidenti serb.

Ai nuk ofroi detaje rreth paralajmërimeve për “skenarë të paparashikueshëm dhe pasoja të mëdha” në të ardhmen, por referenca misterioze vjen mes  tensioneve në kufirin Kosovë-Serbi që arritën kulmin pas sulmit paramilitar serb në fshatin Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veriun e Kosovës vjeshtën e vitit të kaluar.

Gjatë adresimit në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u shqyrtua raporti gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e misionit mbështetës në Kosovë (UNMIK), presidenti serb pretendoi se ndaj serbëve në pjesën veriore të Kosovës vazhdojnë “sulmet sistematike” të autoriteteve kosovare, por sërish pa ofruar asnjë provë.

Edhe pse anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të bashkuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, ndarjet midis anëtarëve të përhershëm – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe – vazhdojnë ta karakterizojnë qasjen ndaj këtyre zhvillimeve.

Advertisement