Connect with us

Kosova

Vuçiçi zbutet pasi Biden përmend bombardimet: Serbia s’do prek askënd

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, në auditoriumin Andrew W. Mellon në Uashington tha se NATO-ja ka parandaluar spastrimin etnik në Kosovë, kurse gjenerali amerikan në pension Wesley Clark ka potencuar se Serbia është “dora e Rusisë në Ballkan”.

Kreu i shtetit serb ka pretenduar se Serbia “është paqësore dhe e përgjegjshme” dhe ka potencuar se “nuk e lejojmë askënd në botë që të kërcënojë lirinë”.

“Presidenti amerikan Biden edhe Wesley Clark, po flasin për Ballkanin dhe atë që ndodhi në vitin 1999. Dua të them se ne nuk po prekim askënd, s’do  prekim askënd, por Serbia nuk është e mundur, dhe nuk do të jetë më pre e askujt, siç ishte në vitin 1999” – deklaroi Vuçiç para gazetarëve.

Lidhur me deklaratat e gjeneralit Clark, Vuçiç theksoi se ky i fundit “la gjurmë të pashlyeshme në Ballkan”.

“Vrasja e njerëzve dhe e fëmijëve tanë, janë fakte historike dhe kjo nuk do të ndryshojë” – nënvizoi kreu i shtetit serb.

“Më duket interesant fakti që Clark tha se ne jemi agjentë të Rusisë dhe mesazhi im është që të gjithë ata që e ndjekin Serbinë e dinë që ne nuk jemi peng, por meqë nuk jemi rus, nuk jemi të askujt tjetër” – theksoi Vucic

Kujtojmë se presidenti Biden në Uashington ka se “kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për të rivendosur paqen dhe për të ndaluar spastrimin etnik”.

Më 24 mars 2024 u bënë 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi. Ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare, ky ishte rasti i parë që NATO-ja ndërhyri në një territor pa pasur mandat nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Advertisement