Connect with us

Rajon

Vuçiçit i ngrin buzëqeshja, mbetet me gishat e njërës dorë

Autokrati rajonal, kryeministri hungarez Viktor Orban, ishte ndër të parët që uroi Aleksandar Vuçiqin dhe Partinë Përparimtare Serbe për fitoren në zgjedhje. Pas tij, edhe një tjetër urim nga një tjetër autokrat, presidenti i Azerbajxhanit Ilhan Aliyev.

Mirëpo, përveç ketyre,Vuçic nuk mund të mburret me duartrokitje dhe urime nga rajoni.

Në gishtat e njërës dorë mund t’i numërojë urimet e shtetarëve të botës, qoftë edhe nga ato shtete për të cilat për vite me radhë u betua se ishin miqtë më të mirë të Serbisë.

Një masë e kujdesshme këtë herë tregoi edhe Moska zyrtare, ndaj në vend të një mesazhi urimi mbërriti vetëm deklarata e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, se Rusia po monitoron dhe mirëpret me vëmendje suksesin e partisë së presidentit serb.

Hesht edhe Aleksandar Lukashenko, ish-miku i madh i progresistëve, presidenti i Bjellorusisë, i cili jo shumë kohë më parë akuzoi presidentin e Serbisë për hipokrizi politike.

Për dallim nga zgjedhjet e mëparshme, kur presidenti i Serbisë për fitoren e uroi personalisht presidenti i Kinës, Xi Jinping, këtë herë urimet erdhën nga një nivel pak më i ulët, nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës.

“E urojmë Serbinë për mbajtjen e qetë të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale. Besojmë se Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Vuçiq dhe Qeverisë së re të Serbisë, do të vazhdojë të përparojë në ndërtimin kombëtar”, thuhet në letrën e urimit nga MSP-ja kineze.

Shumëkush ende e kujton kur, dymbëdhjetë vjet më parë, Bashkimi Evropian, në një deklaratë të përbashkët të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, tre orë para mbylljes së qendrave të votimit, uroi Tomislav Nikolić-in për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale në Serbi.

Nuk ka sot urime të tilla nga Europa. Dhe jo vetëm që nuk ka urime, por nuk ka reagime për zgjedhjet në Serbi.

Me përjashtim të njërit që përmblidhet në tridhjetë sekonda dhe në të cilin zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, pretendon se BE-ja nuk do të bëjë deklaratë për zgjedhjet në Serbi deri në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Zyra për të Drejtat e Njeriut dhe Institucionet Demokratike (OSBE/ODIHR) prezanton rezultatet paraprake.

Urimet për Vuçiqin nuk kanë mbërritur as nga Emmanuel Macron, presidenti francez, për të cilin ai pretendon se është miku i tij me të cilin ka kaluar orë e orë të tëra në biseda kuptimplote, as nga Gjermania, Ministria e Jashtme e së cilës i cilësoi zgjedhjet në Serbi si të diskutueshme. Nuk ka urime as nga Italia, kryeministri i së cilës ishte në Serbi pak para zgjedhjeve tona.

Duket se Vuçiq mund ta numërojë mbështetjen e botës në numër të vogël dhe mund të mburret vetëm me urimet e atyre vendeve ku ose nuk ka opozitë, ose liria e medias është aq e kontrolluar sa partitë opozitare vështirë se kanë mundësi ta shohin njëri tjetrin.

Advertisement